Shqipëria

Rama: Pas 70 vjeçarëve, do të vaksinohen gratë e fasonerive


Kryeministri Edi Rama ka vizituar një fasoneri në qytetin e Shkodrës.

Rama ka thënë se pasi të mbarojë vaksinimi tek personat 70 vjeç e lart, të parët që do të vaksinohet pas tyre do të jenë gratë dhe vajzat që punojnë në fasoneri.

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka inspektuar përfundimin e ujësjellësit të Vaut të Dejës. Ky investim do t’u garantojë qytetarëve, për një periudhë 25-vjeçare, mbulimin me 24 orë ujë të pijshëm në ditë. Ujësjellësi i mëparshëm ka qenë totalisht i amortizuar.

Drejtuesi i Partisë Socialiste (PS) në qarkun e Shkodrës, Ilir Beqja, pohoi se gjatë javës së ardhshme do të fillojë investimi i ujësjellësit në zonën e Mjedës. Në këtë zonë do të kryhet i njëjti investim, për 1 mijë e 700 familje të tjera.

“Objektivi është i qartë. Ne jemi në gjendje sot të themi se, në qendrat urbane të Shqipërisë, të kemi brenda 2022-it, 24 orë ujë të pijshëm. Tirana brenda 2022-2023, pasi çështja është më komplekse. Është hera e fundit që çështja e ujit do të jetë temë e fushatave. Do të zgjidhet një herë e mirë kjo çështje. Është gjëja më e sigurt”, deklaroi Rama.

Investimet e OSHEE-së

Kryeministri inspektoi investimet e OSHEE-së, në Bërdicë të Shkodrës. Në gjashtë vitet e fundit, në të gjithë qarkun e Shkodrës, është përmirësuar shërbimi me energji elektrike për 70 mijë banorë. Nga ky investim i ri do të përfitojnë 4 mijë qytetarë të zonës.

Procesi i vaksinimit në Shkodër

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe kryeministri Rama inspektuan procesin e vaksinimit në Shkodër.

Manastirliu deklaroi se procesi po shkon shumë mirë. Sipas saj, janë vaksinuar 65 mijë të moshuar. Gjithashtu ajo tha se “arritëm mbi 120 mijë vaksinime të kryera”.

Ministrja theksoi se më 30 mars, Shqipëria arriti 100 mijë të vaksinuar. Ndër të tjera, ajo pohoi se po ecet me ritme të shpejta. Nuk ka pasur hezitime nga të moshuarit.

Ndërkohë, vaksinimi po kryhet dhe në poliklinikën e qytetit dhe në qendrat shëndetësore në Shkodër. Të moshuarit u shprehën të kënaqur nga procesi i vaksinimit.

Manastirliu bëri me dije se ka filluar procesi i vaksinimit edhe në Koplik. Shkodra, në total, si qark ka kryer 2 mijë e 500 deri në 3 mijë vaksinime. Vetëm më 31 mars do të kryhen 500 vaksinime.

Kryeministri nënvizoi se brenda muajit maj do të vaksinohen gjysmë milioni qytetarë.

“Do të vaksinojmë gjysmë milionë persona brenda majit, numër që dhe mund ta kalojmë, falë edhe punës së Ministrisë së Shëndetësisë. Një pjesë e rëndësishme e vendeve në rajon nuk po çajnë dot e nuk futen dot në vaksinim masiv”, përmbylli Rama.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore