Lajme

Përfundon projekti i zgjatjes së pistës së aeroportit “Adem Jashari”- Aliu: Aeroporti në nivel me ato të rajonit


Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë ditës së martë në një konferencë për media ka bërë të ditur se ka përfunduar projekti për zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” nga 2 mijë e 500 metra sa ishte, në 3 mijë e 40 metra.

“Përfundimi i punimeve në zgjatjen e pistës së aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”, është një moment i rëndësishëm për arsye se ka një impakt të madh në transportin e përgjithshëm ajror në vendin tonë dhe krijon kushte shumë të favorshme për të ardhmen e transportit të mallrave”, thënë Aliu.

Për Aliun me pistën e zgjatur të aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari” do të shkurtohen fluturimet nga vendet e perëndimit drejt Kosovës për 15 deri në 20 minuta.

“Përparësitë e këtij projekti e bëjnë aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në nivel të konkueshmërisë me aeroportet e nivelit të rajonit. Pista e këtij aeroporti është ma e përshtatshme se pista e aeroporteve të Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar ai.

“Të arritur a e këtij projekti ndërlidhen me shkurtimin e vijës ajrore dhe reduktimin e humbjeve financiare dhe kostove financiare për fluturimet që bëhen në vendin tonë, si dhe nuk do të kemi anulime të fluturimeve për shkak të mjegullës që kemi pasur më herët”.

“Përparësia tjetër e këtij projekti është se  tashmë në pistën e aeroportit ndërkombëtar do të mund të aterojnë edhe avionët kargo dhe aeroplanët e mëdhenj të trasnportit”.

Nga konferenca e Ministritë të Mjedisit, Liburn Aliu, komandantit të KFOR-it, Ferenc Kajari dhe drejtorit të Operimeve në LIMAK, Gokman Aritay

Në anën tjetër për Komandantin e KFOR-it Ferenc Kajari i cili ishte i pranishëm në këtë konferencë për media së bashku me Ministrin e Mjedisit, Liburn Aliu dhe drejtorin e Operimeve në LIMAK, Gokman Aritay, përmirësimet e infrastrukturës në aeroportin e Prishtinës  janë hap pozitiv për aviacionin në Kosovë dhe në përgjithësi për regjionin e Ballkanit.

“Qëllimi i kësaj piste është që të përmirësohet trafiku ajror në regjion, duke përfshirë hapjen e rrugëve të reja ajrore në hapësirë ajrore mbi Kosovë, dhe jemi në proces të përfundimit të hapjes së dy rrugëve ajrore mbi territorin e Kosovës”, ka thënë Kajari.

Ndërsa drejtori i operimeve në Limak, Gokmen Aritay, u shpreh se kjo pistë do të jep mundësi që të bëhet lidhja e transportit ajror me atë rrugor.

“Ne jemi krenar që kemi kontribuar në këtë drejtim, dhe kemi mbajtur premtimin që projekti të përfundojë në kohë. Kjo pistë do të na jep mundësi të përmisojm biznesin e transportit dhe mallrave në tërë Kosovën, sepse dëshirojmë t’i shfrytëzojmë këto mundësi që t’i lidhim transportin ajror me atë rrugor”, ka thënë Aritay.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore