Përballje

Përfundon pjesa e parë, Kosova në epërsi ndaj Gjeorgjisë


Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes mes Gjeorgjisë dhe Kosovës, në kuadër të kualifikimeve të Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Kosova është duke udhëhequr me epërsi minimale prej 0:1, pas autogolit të shënuar nga gjeorgjiani Davit Khocholava, në minutën e 18-të të takimit.

Khocholava e dërgoi topin gabimisht në rrjetë pas një harkimi shumë të mirë nga Valon Berisha dhe i gjendur në presion të Vedat Muriqit.

Loja në përgjithësi është duke u zhvilluar me pak aksione nga të dyja skuadrat.

Përzgjedhësi i Gjeorgjisë, Willy Sagnol, ishte i detyruar të bëjë një zëvendësim qysh në minutën e 12-të, pasi Otar Kiteishvili pësoi një lëndim.

Futbollisti i vetëm i ndëshkuar në këtë takim, është Valon Berisha, i cili mori karton të verdhë në minutën e 26-të.

Ndërkohë nëse ndëshkohen me karton të verdhë Florent Hadërgjonaj, Besar Halimi dhe Vedat Muriqi, atëherë nuk do të paraqiten në ndeshjen e së dielës ndaj Greqisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore