Shqipëria

Përfundon mbrojtja për Inceneratorin e Elbasanit, Lefter Koka paraqet raport mjekësor


Konkluzionet e avokatëve që mbrojnë të pandehurit për inceneratorin e Elbasanit dhe disa kompanive kanë përfunduar.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme do të shpallet me 5 tetor.

Sakaq, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka ka paraqitur një tjetër raport për gjendjen e tij shëndetësore në mënyrë që gjykata ta ketë parasysh para marrjes së vendimit.

Pretendimi i kompanisë “Albtek Energy  shpk” ka qenë se nuk ka kryer korrupsion për shkak se janë paguar punonjësit dhe inceneratori është ndërtuar.

Avokati i kompanisë ka thënë se është cenuar parimi i gjësë së gjykuar, për shkak të vendimit nga Gjykata e Elbasanit që e ka pushuar çështjen.

Koka ka marrë pjesë për herë të parë në gjykimin ndaj tij në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më 6 korrik.

SPAK ka kërkuar 10 vite burg për Kokën që me aplikim të gjykimit të shkurtuar nëse shpallet fajtor, do të dënohet me 6.8 vite burg.

Pas leximit të konkluzioneve të avokatit mbrojtës, pritet të pyetet edhe ai.

Në pjesën e parë të mbrojtjes, Lefter Koka është përqendruar tek akuza e shpërdorimit të detyrës, duke ia kaluar përgjegjësinë Këshillit të Ministrave.

Avokati i tij pretendoi se në lidhje me inceneratorin e Elbasanit, i është kërkuar mendim katër ministrive, Financave, Ekonomisë dhe Energjetikës, Mjedisit dhe Drejtësisë.

“Gjatë kohës që janë bërë negociata me kompanitë e inceneratorit klienti im ka qenë jashtë vendit. Sa i përket procedurës së bërë me negocim pa shpallje, është bërë në kuadër të emergjencës mjedisore të shpallur nga Bashkia e Elbasanit. Në komisionet e ngritura, nuk ishte e përfshirë vetëm Ministria e Mjedisit, por kishte përfaqësues edhe nga ministritë e tjera. Në lidhje me këtë procedim janë pyetur 87 persona, janë vënë 33 numra në përgjim, 8 pajisje pc të Klodian Zotos janë sekuestruar, 11 institucione bankare, dy pajisje pc brenda kantinës së verës, nga të cilat nuk ka dalë asnjë provë direkte që e implikon z. Koka me akuzat”, tha avokati.

Të pandehur për inceneratorin e Elbasanit janë, Lefter Koka, Alqi Bllako, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Jonida Zeqo , Bardhyl Çabiri dhe Serafin Papa.

Nga këta prapa hekurave qëndrojnë Lefter Koka, Alqi Bllako, Pëllumb Abeshi dhe Byrdhyl Çabiri.

Zeqo dhe Papa janë në arrest shtëpi.

Dhe 3-shja Zoto, Mërtiri dhe Gugallja janë të shpallur në kërkim.

Ish-ministri Koka akuzohet për disa vepra penale si shpërdorim detyre, korrupsion pasiv dhe pastrim i produkteve të veprimtarisë kriminale.

Ndërsa, ish-deputeti, Bllako akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” gjatë kohës që mbante postin e këshilltarit në Ministrinë e Mjedisit.

Koka, përmes avokatit të tij ka kërkuar heqjen e akuzave penale. E njëjta kërkesë është bërë dhe nga Bllako.

SPAK-u i ka mbyllur hetimet dhe dërguar për gjykim dhjetë të pandehur dhe dy kompani.

Po ashtu edhe dy kompani, shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Koka ishte i pari që u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) më 14 dhjetor, për korrupsion dhe shpërdorim detyre për inceneratorët.

Ishte po GJKKO-ja, e cila më 16 dhjetor vendosi masën e sigurisë “arrest me burg’”.

Arrestimi ka ardhur, pasi u kallëzua penalisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim për çështjen e inceneratorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore