Libra

“Për romanin dhe romanet” e Ridvan Dibrës


Të enjten në ora 19:00 promovohet libri i shkrimtarit shkodran Ridvan Dibra “Për Romanin dhe Romanet”, në librarinë Dukagjini në Prishtinë.  Ky libër sapo është botuar në shtëpinë botuese Bard Books në kryeqytet.

Autori në këtë vepër flet në përgjithësi për zhanrin e romanit po edhe përë të gjitha romanet e tij.

Në hyrjen e veprës autori shkruan:

Për romanin është folur dhe flitet shumë. Ndoshta më shumë se për çdo lloj tjetër letrar. Tjerren teori e traktate. Përpunohen parashikime e pandehma. Prej atyre kobzeza, që paralajmërojnë ‘vdekjen e romanit’, deri tek ato më optimistet, të cilat shenjtërojnë mbretërimin e tij. Si përherë, e vërtera rri diku në mes. Ndërsa romani veçse stërpiket paksa prej të gjithë këtij rrebeshi teorik dhe estetik, duke vazhduar të jetë, si përherë, njëri prej miqve më të mëdhenj e më besnik të qenies njerëzore.

Tashti, pas më shumë se tridhjet vjet krijimtari, kur kthej kryet mbrapa dhe shoh emrin tim e mbajnë jo pak, por plot shtatëmbëdhjetë romane, them se kam të drejtë edhe unë të shprehë, me modesti, ndoca përshtypje e konsiderata për këtë Mik të Madh, i cili ka shënjuar jo vetëm krijimtarinë, por krejt jetën time.

Do ta bëj sipas mënyrës sime. Pa tjerrë teori e traktate. Duke u mbështetur, para së gjithash, te përvojat e mia me secilin roman. Por edhe duke i kërkuar ndihmë kujtimeve dhe shënimeve, që kam mbajtur herë pas here.

Besoj në vëmendjen dhe mirëkuptimin e lexuesve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore