Lajme

Për 3 vjet, 7 policë të përfshirë në vepra penale seksuale


Një vajzë e mitur nga komuna e Gjilanit, u bë viktimë e një sulmi seksual nga një zyrtar policor i po kësaj komune.

Polici R. Sh., i cili shërbeu në Njësisë Rajonale të komunikacionit rrugor në Gjilan, është raportuar se është takuar disa herë me të miturën që nga nëntori i 2020-s deri më 20 prill të këtij viti kur edhe u raportua për rastin.

Zyrtari policor fillimisht u suspendua nga puna e më pas u arrestua dhe Prokuroria Themelore në Gjilan i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Dy vite më parë, një tjetër oficer i policisë u përfshi në një vepër penale të ngjashme.

Vesel Veseli nga Drenasi dyshohet se dhunoi një bashkëvendëse të mitur 16 vjeçe. Veseli u suspendua nga detyra e zyrtarit policor dhe ndaj tij filloi procesi gjyqësorë, I cili po vazhdon dhe tani.

Këto raste u raportuan në medie, por nuk janë të vetmet.

Sipas Institucionit mbikëqyrës të Policisë, gjatë tri viteve të fundit janë evidentuar shtatë raste të përfshirjes së zyrtarëve policorë në vepra të tilla penale.

Zyra për medie në Inspektoratin Policorë të Kosovës ka bërë të ditur se këto shifra janë raportuar dhe trajtuar nga viti 2019 deri në vitin 2020.

“Në tri vitet e fundit 2018-2020 janë regjistruar shtatë (07) vepra penale, të cilat bëjnë pjesë në kapitullin e veprave penale kundër integritetit seksual, duke përfshi një rast dhunimi, një rast të Degradimit të Integritetit Seksual, Keqpërdorim Seksual duke keqpërdor pozitën, autoritetin apo profesionin, dhe Mundësimi ose detyrimi në prostitucion”, thotë zyra për medie në IPK për Albanian Post.

Në lidhje me këto vepra të kryera nga zyrtarët policorë, IPK ka “arrestuar dhe suspenduar katër zyrtarë policorë”.

Përfshirjen e zyrtarëve të organeve të rendit në vepra të tilla, po e vlerëson si shqetësuese njohësi i çështjeve të sigurisë, Riza Shala.

“Kjo po tregon faktin që duhet një kontroll ose mbikëqyrje sistematike”, tha Shala për Albanian Post.

“Vetëm në fillim të këtij viti kemi pas shtim të rasteve të përfshirjes së zyrtarëve policorë në vepra penale” shtoi ai.

Ndërsa për Nuredin Ibishin, njohës i sigurisë, këto statistika nuk janë shqetësuese.

“Në aspektin statistikor nuk është shqetësim, kjo është trend rajonal madje edhe i vendeve të Evropës”, tha Ibishi për Albanian Post.

Ekspertët e Sigurisë vlerësojnë se për zyrtarët policorë duhet një verifikim në aspektin kriminogjen, dhe se duhet një mbikëqyrje sistematike, krejt kjo bëhet duke i rritë mekanizmat mbikëqyrës dhe ata të hetimit në kuadër të institucioneve përgjegjëse”.

Që këto raste të minohen ose të mos ndodhin fare, Riza Shala vlerëson se duhet hartuar një udhëzim administrativ, “që i obligon zyrtarët policorë që të bartin Body Camera kur janë në orarin zyrtarë të punës, ndërsa jashtë orarit të punës duhet të mbledhin informacone për çdo zyrtar nga  institucionet relevante, kjo të bëhet pa dallim grade, dhe se periudha e raportimit të jetë çdo 12 muaj”.

Ndërsa Nuredin Ibishi këshillon që  të bëhet “hetim më i detajuar i së kaluarës  për kadetët e rijnë, por nëse rritet numri i rasteve, duhet trajnime shtesë, por edhe të vërtetohet patologjia individuale e secilit dhe e kaluara kriminogjene”.

Policia e Shtetit ka për mision ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore