Lajme

Pentagon-i heton rrjedhjet e dokumenteve sekrete për Ukrainën


Pentagoni po përpiqet të identifikojë burimin e dokumenteve sekrete të zbuluara që detajojnë strategjinë e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të mbështetur Ukrainën përballë pushtimit rus, të cilat u publikuan këtë javë në rrjetet sociale, zbuloi të enjten e 6 prillit “The New York Times”.

Kur u mor në pyetje, Pentagoni tha se ishte duke hetuar çështjen.

“Ne jemi në dijeni të raportimeve të shtypit në lidhje me postimet në mediat sociale dhe departamenti po shqyrton çështjen”, tha zëdhënësja e Pentagon-it, Sabrina Singh.

Këto dokumente, të cilat datojnë nga fillimi i marsit sipas të përditshmes amerikane, evokojnë për shembull shkallën me të cilën forcat ukrainase përdorin municionin vendimtar të raketave të lëvizshme Himars, ose orarin e dërgesave të armëve ose trajnimin e ofruar nga Perëndimi për ushtarët në Kiev.

Dokumentet, të shpërndara në Twitter dhe Telegram, duken autentike, sipas ekspertëve të cituar nga gazeta e New York-ut, por disa janë ndryshuar për të paraqitur situatën ruse në një dritë më të favorshme.

Kjo, veçanërisht duke minimizuar shkallën e humbjeve të tyre.

Sipas këtyre rrjedhjeve, 12 brigada ukrainase janë duke u formuar, duke përfshirë nëntë të trajnuar dhe pajisur nga Shtetet e Bashkuara, vë në dukje New York Times.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore