Zgjedhjet në Shqipëri

Pendohet Xhelal Mziu: Komenti erdhi për shkak të emocioneve të forta


Drejtuesi politik për Partinë Demokratike (PD), në qarkun e Dibrës, të premten e 23 prillit, ka kërkuar falje publike për deklaratën se, “kush tenton të prekë votën, do ta pësojë si Pjerin Xhuvani në Elbasan”.

“Me sinqeritetin më të madh, shpreh keqardhjen time dhe pendesën time për komentin tim të panevojshëm dje, për shkak të emocioneve të forta të momentit”, u shpreh ai përmes një video mesazhi.

Ndër të tjera, Mziu tha se “mbështet zgjedhje të lira dhe të ndershme”!

“Jam penduar thellë për komentin tim dhe kërkoj ndjesë para gjithë shqiptarëve”, deklaroi Xhelal Mziu.

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu, ka thënë publikisht në një tubim të demokratëve ditën e 22 prillit, se grupet e tyre janë gati dhe kush tenton të prekë votën, do ta pësojë si Pjerin Xhuvani në Elbasan.

Në video dukej qartësisht kandidati demokrat, i cili bën këtë thirrje ndaj mbështetësve.

“Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot e në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë si ai në Elbasan”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore