Kosova

Pendarovski: Shqiptarët përbejnë 90% të listës së zezë së SHBA-ve


Stevo Pendarovski

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, duke marrë pjesë në një debat me temë “Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonisë së Veriut në epokën e trazirave gjeopolitike”, ka pretenduar se ShBA-të “asnjëherë nuk kanë qenë pro-shqiptar”, apo “anti-maqedonas”, duke shtuar se mbi 90 për qind e listës së zezë amerikane “janë shqiptarë”.

“Qëndrimi im është që amerikanët asnjëherë nuk kanë qenë pro shqiptarëve ose anti-maqedonasve dhe se gjithmonë kanë qenë që shteti ynë të prosperojë, megjithatë para se gjithash të jetë demokraci funksionale dhe multi-etnike”, ka thënë Pendarovski, transmeton Tv21.

Për ta argumentuar tezën e tij, se sipas tij amerikanët nuk janë pro-shqiptarëve, ai përmendi listën e zezë të ShBA-ve, duke thënë se 90 për qind e asaj liste janë shqiptarë.

“Ja do tua jap një të dhënë të fundit se ajo nuk është e vërtetë dhe ata që janë ithtar të asaj teze se gjoja amerikanët janë pro shqiptarëve nuk mund ta shpjegojnë faktin se ata (SHBA) kanë të ashtuquajturën ‘listë të zezë’  përafërsisht nga 2001-ta, dhe mbi 90% nga njerëzit që janë në listën e zezë janë shqiptarë”.

“Si janë pro shqiptarëve amerikanët?”, pyeti ai.

Ndryshe, Kryetari i Komunës së Strugës në Maqedoninë e Veriut, Ramiz Merko, të martën është shpallur non-grata nga Departament amerikan i Shtetit, i cili ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

“Veprimi i sotëm dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Maqedonisë së Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe trajtimit të mangësive që lidhen me sundimin e ligjit”, thuhet në njoftimin e lëshuar të martën, më 20 qershor.

“Ky përcaktim ripohon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre”, vijon njoftimi i Departamentit amerikan të Shtetit.

Departamenti amerikan i Shtetit, siç thuhet në përfundim të njoftimit, ka shpallur gjithashtu gruan e tij, Shpresën, dhe tre fëmijët, Gencin, Nazmijen dhe Drenushën, si persona të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Departamenti amerikan i Shtetit shpall non grata kryetarin e komunës së Strugës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore