Shqipëria

Peleshi prezanton projektvendimet: Marrëveshje SHBA-Shqipëri në fushën e sigurisë


“Është miratuar vendimi lidhur me një marrëveshje ndërmjet SHBA-ve dhe Shqipërisë që lidhet me ndryshimin e skemës së sigurisë sot”.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, fill pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Sipas Peleshit kjo marrëveshje forcon dhe linjëzon qëndrimin tonë me politikën e SHBA-ve në raport me forcat e sigurisë të vendeve të tjera që janë listuar nga SHBA-të si problematike.

“Ne i bashkohemi kësaj politike për të mos dhënë ndihmë dhe të mos japim shkëmbim me këto forca”, u shpreh Peleshi.

Projektvendimi i dytë kishte të bënte me hartimin e një databaze për humbjet në raste fatkeqësish të ndryshme.

Kjo do të bëhet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim me AKSHI-n, pasi vendi është futur në epokën e digjitalizimin. AKSHI do të monitorojë dhe do të krijojë bazën e të dhënave.

I treti në radhë ishte projektvendimi në lidhje me miratimin e sigurimit të jetës për personelin e forcave të armatosura të Shqipërisë që shërbejnë në operacione jashtë vendit.

“Shqipëria është një kontributor në misione ndërkombëtare. Ne sot jemi prezent në Letoni, jemi me një prezencë të shtuar në Kosovë dhe i jemi bashkuar politikës së NATO për forcimin e krahut lindor të saj”, vijoi Peleshi.

Kjo e fundit ka ardhur pas agresionit rus në Ukrainë dhe është e rëndësishme që të forcohet krahu lindor.

“Ne do të jemi prezent edhe në Bullgari, këtë vendim e kemi marrë disa ditë më parë”, e përmbylli ai.

I pyetur nga gazetarët se pse lindi nevoja që Shqipëria të kërkonte raketa anti-tank dhe a kishte lidhje me konfliktin dhe luftën që po bëhet në Ukrainë, Peleshi tha se “ka qenë e planifikuar më parë”.

“Ka qenë e planifikuar më parë, para se të fillonte agresioni dhe nuk ka lidhje direkt me këtë”, theksoi Ministri.

Në përfundim ai tha se agresioni rus në Ukrainë “na ka vënë para një fakti që është shtimi i përpjekjeve dhe buxheteve për modernizimin e përpjekjeve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore