Shqipëria

Kontrata e Ushtrisë Amerikane për ‘Javelin-ët’ në Shqipëri


Agjencia “Reuters” publikoi një lajm të beftë tre ditë më parë, i cili zbulonte se Shqipëria renditej mes qeverive që kishin porositur raketat ‘Javelin’.

Sipas saj, ushtria amerikane i kishte dhënë kohët e fundit dy kontrata prodhimi kompanisë “Javelin Joint Venture”.

Pajisjet dhe shërbimet përkatëse kapnin një vlerë totale prej 309 milionë dollarësh.

Komisioni për ndarjet buxhetore në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-ve nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga Albanian Post.

“Shitjet ushtarake të huaja janë transaksione nga qeveria në qeveri dhe ne punojmë ngushtë me qeverinë e SHBA-ve për çdo shitje ushtarake për aleatët ndërkombëtarë. Diskutimet rreth shitjeve për qeveritë e huaja trajtohen më së miri nga qeveria amerikane”.

Kështu deklaroi për Albanian Post, përgjegjësja e medias për kompaninë Lockheed Martin Corporation, Cristina Vite.

Këto kontrata përfshijnë më shumë se 1 mijë e 300 raketa Javelin të financuara nga Akti i fundit i Ndarjeve Suplementare të Ukrainës.

Por kontrata e dytë, llogariste edhe porosi për disa klientë ndërkombëtarë, duke përfshirë Shqipërinë (Norvegjinë, Letoninë dhe Tajlandën idem. – AP).

Javelin është zhvilluar dhe prodhuar nga Javelin Joint Venture, një partneritet i Raytheon Missiles & Defense dhe Lockheed Martin.

Sistemi i gjithanshëm i raketave të drejtuara kundër tankeve dhe me shumë objektiva ofron aftësinë për të shkatërruar në rrezen e tij të plotë – deri në katër kilometra në shumicën e kushteve operacionale.

Deklaratat

“Javelin Joint Venture po punon shumë për të përmbushur këtë rritje të kërkesës”, u shpreh për Reuters, Dave Pantano, zëvendëspresident i Javelin Joint Venture.

Sipas tij, aftësitë unike të Javelin-ve kanë dëshmuar që bëjnë dallimin në momentet përcaktuese të përdoruesve.

“Ne mezi presim të vazhdojmë partneritetin tonë me Ushtrinë për të ofruar këtë sistem kritik të armëve”, shtoi ai.

Ndërkaq, Marek Wolert, president i Javelin Joint Venture dhe drejtor programi në Raytheon Missiles & Defense deklaroi se palët mbeten të përkushtuara për të ofruar këtë sistem të jashtëzakonshëm armësh për luftëtarët në mbarë globin.

Lockheed Martin po investon për të rritur shkallën e prodhimit të raketave nga 2 mijë e 100 që prodhon aktualisht brenda një viti.

Po kështu, Raytheon po investon për të maksimizuar prodhimin e njësisë së lëshimit të komandës me peshë të lehtë të ripërdorshme.

Deri më sot, Javelin Joint Venture ka prodhuar më shumë se 50 mijë raketa Javelin dhe më shumë se 12 mijë Njësi Komande të ripërdorshme.

Javelin pritet të qëndrojë në arsenalin e armëve të SHBA-ve deri në vitin 2050.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore