Shqipëria

Peleshi konfirmon pajisjen e Shqipërisë me “Javelin”


Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të kenë në dispozicionin e tyre një nga sistemet më të mira raketore antitank “Javelin”.

Lajmi u konfirmua nga vetë Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

“Është në kuadrin e modernizimit të FA (Forcat e Armatosura – AP), rritjes së kapaciteteve tona, plotësimit të objektivave që Shqipëria ka në raport me NATO-n”, deklaroi nga Pogradeci zyrtari shqiptar.

Ai shtoi se sistemi raketor antitank “Javelin” po prodhohet nga kompania amerikane, më e madhja në botë e industrisë ushtarake ‘Lockheed Martin’.

“Ne kemi bërë porosinë tonë aty si pjesë e rrugëtimit tonë për forcimin e FA-ve, modernizimit, rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes territoriale të vendit tonë”, shtoi Peleshi.

Veç këtij sistemi, sipas Ministrit të Mbrojtjes, do të ketë edhe blerje të tjera apo donacione nga partneri strategjik i Shqipërisë, SHBA-të apo nga partnerë të tjerë në NATO.

Agjencia “Reuters” publikoi një lajm të beftë katër ditë më parë, i cili zbulonte se Shqipëria renditej mes qeverive që kishin porositur raketat ‘Javelin’.

Sipas saj, ushtria amerikane i kishte dhënë kohët e fundit dy kontrata prodhimi kompanisë “Javelin Joint Venture”.

Pajisjet dhe shërbimet përkatëse kapnin një vlerë totale prej 309 milionë dollarësh.

Detajet

Komisioni për ndarjet buxhetore në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-ve nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga Albanian Post.

“Shitjet ushtarake të huaja janë transaksione nga qeveria në qeveri dhe ne punojmë ngushtë me qeverinë e SHBA-ve për çdo shitje ushtarake për aleatët ndërkombëtarë. Diskutimet rreth shitjeve për qeveritë e huaja trajtohen më së miri nga qeveria amerikane”.

Kështu deklaroi për Albanian Post, përgjegjësja e medias për kompaninë Lockheed Martin Corporation, Cristina Vite.

Këto kontrata përfshijnë më shumë se 1 mijë e 300 raketa Javelin të financuara nga Akti i fundit i Ndarjeve Suplementare të Ukrainës.

Por kontrata e dytë, llogariste edhe porosi për disa klientë ndërkombëtarë, duke përfshirë Shqipërinë (Norvegjinë, Letoninë dhe Tajlandën idem. – AP).

Javelin është zhvilluar dhe prodhuar nga Javelin Joint Venture, një partneritet i Raytheon Missiles & Defense dhe Lockheed Martin.

Sistemi i gjithanshëm i raketave të drejtuara kundër tankeve dhe me shumë objektiva ofron aftësinë për të shkatërruar në rrezen e tij të plotë – deri në katër kilometra në shumicën e kushteve operacionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore