Shqipëria

Peleshi në Ministerialin e NATO-s: Shqipëria mbështet pa rezerva sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës


Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, në ditën e dytë të Ministerialit të Mbrojtjes në Bruksel, theksoi qëndrimin e vendit tonë mbi krizën në Ukrainë, duke ofruar mbështetjen për popullin, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.

Ai solli në vëmendje se Shqipëria vazhdimisht e ka parë bashkëpunimin NATO-BE si një nxitës kryesor në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes në Evropë dhe më gjerë.

“Ky bashkëpunim bëhet edhe më vital ndërsa përpiqemi të parandalojmë krizën aktuale në Ukrainë, e cila mund të ketë implikime për të gjithë kontinentin evropian”, tha Peleshi në fjalën e tij.

Gjithashtu, ai ritheksoi rëndësinë e koordinimit dhe unifikimit të qëndrimeve dhe veprimeve ndërmjet NATO-BE dhe partnerëve të tjerë në këtë çështje.

Në takimin e ministrave të Aleancës me ministrat e Mbrojtjes së Gjeorgjisë dhe Ukrainës u diskutua rreth zbatimit të reformave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes nga të dy vendet, drejt rrugës së anëtarësimit në NATO.

Peleshi, në këtë sesion vlerësoi reformat, bashkëpunimin dhe kontributin e këtyre dy vendeve aspirante në kuadër të anëtarësimit në Aleancë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore