Shqipëria

Peleshi në takimin ministerial të Mbrojtjes së NATO-s: Shqipëria e gatshme të shtojë kontributin në kufijtë juglindorë të Aleancës


Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, gjatë takimit ministerial të Mbrojtjes së NATO-s me vendet e Aleancës në fjalën e tij deklaroi se çdo vend është i lirë dhe ka të drejtën sovrane për të zgjedhur rrugën e vetë në aleancat e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe orientimin e politikës së jashtme.

Gjithashtu, ai përmendi rolin e Shqipërisë si bashkë-penë-mbajtëse me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi çështjen e Ukrainës.

Ndonëse kriza aktuale e shkaktuar nga dislokimi i forcave të mëdha ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës ka tërhequr vëmendjen e audiencës në mbarë botën dhe përbën një moment mjaft kulmor që pas Luftës së Ftohtë.

Në agjendën e këtij takimi do të diskutohen edhe çështje të tjera mjaft të rëndësishme – koncepti i ri Strategjik, forcimi i deterrencës dhe mbrojtjes së Aleancës, shpenzimet e mbrojtjes, ndarja e drejtë e barrës ndërmjet Aleatëve, partneriteti NATO-BE, etj,

Më tej, ministri Peleshi theksoi rëndësinë e ruajtjes së solidaritetit dhe kohezionit që Aleanca duhet të tregojë gjithmonë, por veçanërisht në këtë moment. Ai nuk la pa përmendur dhe vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të Komandave Strategjike dhe strukturave të tjera të NATO-s, në mobilizimin dhe gatishmërinë e përhershme në ruajtje të kufijve të vendeve të Aleancës.

Për këtë, ministri Peleshi solli në vëmendje kontributet aktuale të vendit tonë në kuadër të Aleancës, si dhe vendimet më të fundit për mundësinë e shtimit të kontributit në kufijtë juglindorë të Aleancës, sipas modelit të Prezencës së Përforcuar të Përparuar në vendet Balltike.

Për sa i përket zhvillimit dhe implementimit të kapaciteteve të Mbrojtjes, Peleshi rikonfirmoi edhe njëherë angazhimin e Shqipërisë për përmbushjen e Zotimit për Investime në Mbrojtje që vendet anëtare morën në Samititn e Uellsit në 2014 për arritjen e buxhetit të Mbrojtjes deri në vitin 2024 në jo më pak se 2% të PBB.

Peleshi i kushtoi vëmendje të veçantë edhe hartimit të Konceptit të ri Strategjik të NATO-s, duke vlerësuar kohën që ai vjen si mjaft të duhur dhe të rëndësishme, për faktin që situata e sigurisë dhe rreziqet në mbarë globin po zhvillohen në mënyrë mjaft të paparashikueshme dhe kaotike.

Në këtë kuadër, Peleshi kërkoi që rajonit të Ballkanit t’i kushtohet vëmendja e duhur në hartimin e Konceptit të ri Strategjik të NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore