Zgjedhjet në Kosovë

Pejë: Çfarë “mund të” përfitojnë banorët pas zgjedhjeve të 17 tetorit?


Komuna e Pejës

Edhe Peja po bëhet gati për zgjedhjet e 17 tetorit.

Për një muaj rresht, banorët e komunës së Pejës dëgjuan premtime të shumta nga kandidatët të cilët garojnë për të parin e kësaj komune. Për dallim nga zgjedhjet e kaluara siç jemi mësuar të shohim më shumë takime e më shumë simpatizantë në to, fushata elektorale për zgjedhjet e 17 tetorit ishte e fokusuar në mediet online dhe platforma të ndryshme sociale.

Një njërën anë, kryetari aktual nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gazmend Muhaxheri, po kërkon mandatin e tretë, deri sa dy kundërkandidatët e tij kryesorë, Gazmend Agusholli nga radhët e Lëvizjës Vetëvendosje (LVV) dhe Rrustem Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kërkojnë ndryshimin.

Pas 30 ditëve fushatë, këta kandidatë po bëhen gati për zgjedhjet e ditës së dielë, dhe për Albanian Post, ata kanë treguar se cilat janë pesë prioritetet kryesore të cilat synojnë t’i përfundojnë gjatë këtij mandati nëse rezultati i zgjedhjeve të dielën i nxjerrë fitues.

Gazmend Muhaxheri – LDK

Kryetari i Pejës dhe kandidati nga radhët e LDK-së, Gazmend Muhaxheri

Pas tetë viteve qeverisje me qytetin e Pejës, kryetari Muhaxheri kërkon edhe mandatin e tretë. Ai synon që këtë vit, për herë të dytë ta fitojë Pejën pa balotazh, ashtu siç bëri edhe në vitin 2017.

Punët e kryera në Pejë sipas tij kanë qenë të shumta, por në qytetin më perëndimor të Kosovës, ende ka punë të cilat mund t’i përfundojë “vetëm LDK-ja me Gazin në krye”.

-Përfundimi i murit dhe shetitores së lumit Lumbardh deri në dalje të territorit të Komunës së Pejës, deri në fshatin Potërç.

Ka disa vite që në Pejë ka filluar të ndërtohen shtigje buzë Lumbardhit, në lagjet më të njohura të qytetit si Kapeshnicë, Puhovc, Karagaç. Por, në mandatin e radhës, nga anët e LDK-së premtojnë që “kënaqësinë që të shijojnë bukurinë që ofrojnë pasuritë natyrore të Pejës, do ta kenë të gjithë”.

-Përfundimi i kubëzimit në sheshin “Skëndërbeu”

Sheshi Skënderbeu gjindet në zemër të Pejës, dhe është rrugë lidhëse më çdo pjesë tjetër të qytetit. Në vitin 2018, nisi një projekt për shtrimin e sheshit të Pejës me kalldrëm, për t’ia kthyer dukjen e vjetër me stil modern. Deri tani, është përfunduar më shumë se gjysma e saj, dhe një ndër prioritetet e LDK-së, është përfundimi i plot i tij në mandatin e radhës.

-Kompletimi i ndriçimit publik në të gjithë Komunën e Pejës

Për dy mandatet e kaluara, te LDK-ja e Pejës thonë që është dhjetëfishuar niveli i trupave ndriçues në Pejë. Thuajse çdo rrugë shpesh e frekuenteshme në qytet, tani është e kalueshme lehtësisht edhe në orët e errëta. Dhe, pas këtij mandati, me LDK-në në krye, nuk do të ketë më asnjë pjesë të errët në Pejë dhe rrethinë.

-Kompletimi i infrastrukturës në Bjeshkët e Rugovës

Bjeshkët e Rugovës janë atraksion turistik që gjatë gjithë kohës i sjellin Pejës të ardhura të mira në këtë aspekt, sidomos gjatë stinës së dimrit. Gjatë viteve të fundit, një ndër problemet kryesore ka qenë cilësia dhe rrezikshmëria që posedojnë rrugët që të lidhin me fshatet Bogë, Kuqishtë, Shkrel etj. Nga LDK, thonë që ka mbetur edhe pak që të përfundojë asfaltimi i plot i rrugës nga Spitali Rajonal i Pejës e në të gjithë Bjeshkët e Rugovës. Kjo sipas tyre do të ndodhë në mandatin e tyre të tretë në krye të qytetit.

-Impianti për pastrimin e ujërave të zeza në fshatin Trestenik

“Fshatrat” sipas LDK-së, “janë pjesa më e rëndësishme e Pejës”. Investimi në to është njësoj sikurse investimi në qytet, andaj një nga pesë premtimet e tyre kryesore, është ndërtimi i një impianti, i cili do të mundësojë që fshati Trestenik të mos karakterizohet më nga uji i ndotur. Te Lidhja Demokratike e Kosovës, janë të bindur që fitorja për ta është e sigurt, dhe që Gazmend Muhaxheri është gjithmonë njeriu i duhur për Pejën.

Gazmend Agusholli – LVV

Kandidati për Pejë nga radhët e LLV-së, Gazmend Agusholli

Zgjedhjet e fundit për Lëvizjen Vetëvendosje në qytetin e Pejës nuk shkuan fare mirë.

Por, ata këtë herë shpresojnë që me Gazmend Agushollin në krye, ta drejtojnë qytetin deri në balotazh, e më pas të marrin qeverisjen.

Si opozitë, ata mendojnë që Peja ka nevojë për shumë ndryshime dhe puna e bërë gjatë mandatit tetë vjeçar të kryetarit aktual, Muhaxheri, nuk ka qenë fare e mirë.

Nga radhët e LVV-së, pesë zotimet kryesore për Pejën janë:

-Subvencionimi i pagave për 600 punëtorë nëpër biznese të vogla dhe të mesme.

Sipas tyre Peja ka nevojë për më shumë fokus dhe përkushtim ndaj punotërove. Nga radhët e LVV-së thonë se gjatë kohës së Muhaxherit në qeverisje nuk është ndihmuar asnjë herë punëtori. Me ta në qeverisje, kjo do të ndryshojë.

-Tri çerdhe të reja

Mungesa e çerdheve publike në Pejë është një ndër problemet më të mëdha, sipas Agushollit. Ata premtojnë se gjatë mandatit katër vjeçar, do të ndërtojne edhe tri çerdhe tjera që do të jenë shumë vitale për qytetin.

-Festival i teknologjisë YOUNGTECH

Peja ka shumë të rinjë të cilët kanë aftësi të jashtëzakonshme në Teknologji. Duke e parë këtë, LVV premton t’iu jap një shtysë të madhe këtyre të rinjve me organizimin e festivalit YOUNGTECH, që në vete do të përmbajë shumë gjëra që do të tërheqin pjesëmarrës të shumtë.

-Sistem transparent për punësimin, E-Rekrutimi

Ka shumë biznese në Pejë që ofrojnë punë të mira, por ka pak mënyra që konkurset të jenë të volitshme për të gjithë. Në këtë mënyrë, me ‘E-Rekrutimin’, LVV në Pejë do të shpalosë një platformë nga e cila bizneset mund të shpallin konkurse, e të gjithë mund të aplikojnë.

-Smart Tourism në Rugovë e Radavc

Rugova dhe Radavci janë dy zonat turistike të cilat sjellin më shumë vizitor të huaj për Pejën. Numri i vizitorëve në këto zona sa shkon e rritet çdo vit, dhe nga radhët e LVV-së premtojnë që me Smart Tourism ky numër do të rritet edhe më shumë. “Smart Tourism” do t’iu ndihmojë të gjithëve të njohin më mirë zonën dhe atë me çfarë do të ballafaqohen kur vizitojnë këto zona të bukura turistike. Gazmend Agusholli dhe Vetëvendosja besojnë se ka ardhur koha për ndryshim në Pejë, dhe se ai ndryshim janë ata.

Rrustem Berisha – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Kandidati për Pejë nga radhët e AAK-së, Rrustem Berisha

Edhe AAK-ja, ashtu si partia e lartëpërmendur, LVV, besojnë se në Pejë ka ardhur koha për ndryshimin. Nga AAK, kandidat për të parin e Pejës, është Rrustem Berisha.

Ai mendon se Peja ka nevojë të fokusohet në disa pika më të rëndishme, si Kthimi i Ligjëshmërisë, Arsimi që të gjitha bëjnë pjesë në pesë premtimet kryesore të tij.

-Kthimi i ligjshmrisë

Pejës ka nevojë t’i kthehet dinjiteti i dikurshëm dhe kjo do të ndodhë nëse Rrustem Berisha vjen në krye të qytetit. Ai premton trajtim të barabartë të kërkesave të qytetarëve dhe ndërtuesve, punësimë në bazë të meritokracisë dhe jo militantizmit partiak, dhënien dhe respektimin e kontratave sipas procedurave ligjore, e shumë gjëra të tjera që sipas tij do të përkojnë me ligjin dhe të drejtën.

-Zhvillimi ekonomik

Të zhvillimi ekonomik, fokusi kryesorë do të jetë te zhvillimi i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, që sipas AAK-së janë pika kyçe e biznesit në Pejë.

-Bujqësia

Sektori i perimeve dhe pemëve, sektori i bletarisë, blegtorisë, agroturizmi, përpunimi i produkteve bujqësore në ekonominë familjare dhe ujitja e tokavë bujqësore. Nga radhët e AAK-së, besojnë se Bujqësia është një ndër pikat kryesore të qytetit që është anashkaluar shumë nga njerëzit në pushtetin aktual. Me ata në krye, një përqindje e konsiderueshme e buxhetit do të shkoj në zhvillimin e Bujqësisë.

-Rritja e numrit të bursave për të rinjtë

AAK premton që do të ketë mbështetje në shkollim përmes rritjes së numrit të bursave dhe shumës së bursave për nxënës dhe student të Komunës së Pejës. Të rinjve në fushën e inovacionit dhe IT do t’u hapen biznese të reja përmes grandeve nga Komuna që do të ndikoj në vetëpunësimin e të rinjve.

-Ndërtimi i objektit të ri për Qendrën për Punë Sociale

Kjo do t’iu ndihmojë të gjithë të varfërve dhe njerëzve fizikisht të paaftë për punë. Me anë të këtij projekti, edhe ata që nuk kanë mundësi të punojnë, do të ofrohen me mundësi për t’u punuar përkatisht me aftësitë e tyre fizike. Sociali në Pejë do të rritet, dhe fokus të madh do të kenë familjet skamnore. Sipas AAK-së, gjatë mandatit të parë, Peja ka nevojë për përmirsime themelore para se të mendohet për më largë. Ata besojnë se këto zgjedhje do të sjellin edhe fundin e qeverisjes së Gazmend Muhaxherit.

Historiku i zgjedhjeve në Pejë

Që nga koha e pasluftës, Peja gjithmonë e ka ndarë pushtetin mes dy partive, Aleancës për Ardhmërisë së Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Fillimisht ishte Ethem Çeku i AAK-së, pastaj erdhi Ali Lajçi nga LDK, e pushteti u kthye te AAK me Ali Berishën.

Në vitin 2013, Gazmend Muhaxheri ia riktheu Pejës LDK-në pas fitores në balotazh.

Kryetari që është ende në krye të qytetit, Pejën e morri pa balotazh në vitin 2017, duke fituar më shumë se 50% to votave.

Deri sa ai synon mandatin e tretë, të tjerët mendojnë për ndryshimin.

Peja po iu drejtohet edhe një palë tjetër zgjidhjeve, që pa dyshim pritet të jenë interesante.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore