Përballje

Peja barazon serinë e ndeshjeve finale, mposht me rezultat të thellë Trepçën


Peja e ka barazuar serinë e ndeshjeve finale në 1 me 1 ndaj Trepçës.

Pejanët deklasuan mitrovicasit në palestrën e sporteve “Karagaqi” në Pejë, duke i mposhtur me rezultat 107:79.

Verdhezinjtë e nisën vrullshëm këtë takim, ku që në fillim arritën epërsi prej 12:0, derisa çereku i parë përfundoi me shifrat 32:14.

Edhe çereku i dytë foli në të mirë të vendasve, të cilin e fituan me rezultat 25:18, e për të shkuar në pushim me epërsi prej 25 pikësh, 57:32.

Pjesa e dytë ishte disi me e baraspeshuar, por mysafirët e patën të pamundur për t’u rikthyer në lojë.

Çereku i tretë përfundoi me shifra të barabarta 24:24, derisa ai i fundit ishte në të mirë të vendasve me rezultat 26:23, për rezultatin përfundimtar 107:79.

Më i dalluari në këtë sfidë ishte Jalen Tate i Pejës, i cili e mbylli ndeshjen me 22 pikë, tetë kërcime e 10 asistime, derisa lojë të mirë shfaqi edhe Larry Thomas me 18 pikë, gjashtë kërcime e shtatë asistime.

Ndërsa te Trepça u dallua Drilon Hajrizi me 18 pikë, tetë kërcime e dy asistime.

Ndeshja e radhës do të zhvillohet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ndërsa ekipi që i bënë tri fitore shpallet kampion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore