Kosova

Peci shpall vitin 2023 si më të suksesshmin për bujqësinë


Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në një konferencë për media, këtë të mërkurë, e ka konsideruar vitin 2023 si vitin më të suksesshëm për bujqësinë kosovare, meqë sipas tij në 12 muajt e fundit 31 mijë fermerë kanë përfituar në kuadër të subvencioneve në vlerë prej mbi 61 milionë euro.

Në konferencën përmbyllëse për këtë vit, Peci, ka theksuar se janë miratuar 491 projekte të granteve në vlerë prej mbi 24 milionë euro.

“Viti që po lëmë pas, ka qenë viti më i suksesshëm për sektorin e bujqësisë, një vit i mbarë dhe i begatisë. Ky vit është sinonimi i rekordeve në disa sfera si në të mbjella, në mbështetje ndaj fermerëve si dhe në rritje të numrit të përfituesve në Programet mbështetëse të Ministrisë”, u shpreh Peci.

Peci duke komentuar përkrahjen që ky dikaster u ka dhënë bujqve, tha se sipërfaqet e mbjella janë rritur për 63 për qind, ndërsa është shënuar rritje e eksportit të produkteve bujqësore për 29 për qind krahasuar me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë kohore.

“Gjatë këtij viti kemi 66 mijë hektarë mbjelle me grurë, dhe 42 mijë hektarë me misër. Nga ana tjetër, 35.5 hektarë janë sipërfaqet e ngritura për prodhimin e perimeve në sera ndërsa 142.22 hektarë është sipërfaqja totale e ngritur për frutat manore, arrore dhe drufrutore”, u shpreh Peci.

“Kemi Ratifikuar në Kuvend Marrëveshjen mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë gjermane në vlerë prej 20.2 milion euro për grante në agroturizëm, ekoturizëm dhe zhvillim rural nga të cilat 10.2 milionë janë financim i Qeverisë së Gjermanisë e 9.2 milionë euro është vlera e grantit nga Komisioni Evropian për investime e ngritje të kapaciteteve në sistemin e ujitjes për vitet e ardhshme. Ndërsa 7 milionë është vlera me të cilën do të përkrahet Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, për procesin e akreditimit që do të fillojë gjatë Janarit/Shkurtit të vitit 2024”.

Peci bëri të ditur se fermerët e Kosovës nga viti 2026 do të kenë qasje në fonde nga 50 milionë deri në 100 milionë euro krahas buxhetit vendor.

“Për të dytin vit me radhë jemi ballëhapur përballë fermerëve duke paguar deri në centin e fundit obligimet kontraktuale ndaj tyre. 7.2 milionë është vlera me të cilën kemi mbështetur gratë fermere në kuadër të Programit për Zhvillim Rural, kemi thjeshtuar kriteret e aplikimit në Programet Mbështetëse duke shtuar numrin e kontrolleve në teren”, u shpreh ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore