Lajme

Peci për Mustafën: Ti je aksionar i shkatërrimit të partisë më të vjetër në vend


Ministri i Bujqësisë, Faton Peci dhe ish kreu i LDK-së Isa Mustafa

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci nga radhët e Listës Guxo, i ka reaguar ish kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish kryeministrit Isa Mustafa për një deklaratë të dhënë për media në të cilën Listën “Guxo” e quajti patricë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Mustafa deklaroi se mashtrimet “tashmë kanë dalë në shesh”.

Peci i është kundërpërgjigjur ish kreut të LDK-së me fjalët “i nderuar pensionist Mustafa”.

“Në moshën tënde, njerëzit reflektojnë për rrugën në të cilën kanë ecur. Me moshën që ke nuk të falet të japësh mendime axhamijsh. Me performancën tënde, partinë që i ke pri e ke sjellë pothuajse në skaj të ekzistencës, duke e vu gjithnjë në dispozicion të PDK-së, kurdo që ajo ka pas nevojë”.

Ai e ka akuzuar Mustafën për shkatërrimin e partisë në të cilën dikur ishte lider.

“Pra, me fjalë të tjera ti je aksionar i shkatërrimit të partisë më të vjetër në vend. Rrjedhimisht, çfarë leksione po mbanë dhe kujt?! Të lutem, rri në qetësinë e moshës, sepse nëse ti s’ke pas guxim, ne kemi”, ka shkruar Peci në rrjetin social Facebook.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci dhe ish kreu i LDK-së Isa Mustafa.

Por, përveç kësaj konsideron se Lista “Guxo”, është ajo që i ka siguruar pensionimin politik.

“Është pikërisht Lista “Guxo”, që ju siguroi pensionimin politik. Guxo ia dha Kosovës presidenten me legjitimitetin më të madh në historinë e pas pavarësisë”.

“Zonja Osmani ka 300 mijë vota, i nderuar Mustafa, synim që ju s’e arritët as me më shumë se 30 vjet në skenën politike. Guximin tënd e shprehe duke qenë patericë e PDK-së, porse asnjëherë vetvetja”, deklaroi Peci.

Sipas tij, “mashtrimet, obstruksionet, pazaret e natës, janë tipare të kohës suaj. Ajo kohë i takon të kaluarës suaj të palavdishme!”.

Ai bëri dallimin nga koha e Mustafës duke thënë se është kohë e cila dallon shumë nga koha që ai qeveriste.

“Ne guxojmë, s’jemi patericë, porse partner, ndaj përveç kreut të shtetit kemi hise edhe në ekzekutiv”

“Pra, nëse ti nuk ke guxu nga PDK-ja, ne guxojmë, nuk jemi të varur, e nuk jemi as patericë e askujt”, ka përmbyllur ministri i Bujqësië.

Po ashtu, ministri Peci ishte pjesë edhe e Qeverisë Mustafa.

Në balotazhin e mbajtur të dielën e 14 nëntorit, kandidati nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Përparim Rama fitoi komunën e Prishtinës në garë me kundërkandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore