Kosova

Peci: Ka gjetje skandaloze në menaxhimin e pronave të Institutit Bujqësor


Ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka deklaruar se ka të gjetura skandaloze nga Komisioni që është themeluar pas vërejtjeve të Auditorit të Përgjithshëm, rreth menaxhimit të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Lajmin e ka bërë të ditur Peci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Para disa muajsh kam kërkuar themelimin e një Komisioni që adreson vërejtjet e vazhdueshme gati një dekadëshe të Auditorit të Përgjithshëm rreth menaxhimit të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë. Të gjeturat janë skandaloze, shumë më skandaloze sesa vërejtjet e marra në vazhdimësi nga Auditori”, ka shkruar Peci.

Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të jetë në shërbim të zbardhjeve të rasteve.

“Andaj, për të gjitha këto veprime të kundërligjshme, ftoj Prokurorinë e Shtetit që të vihet në shërbim të zbardhjes së këtyre rasteve abuzive sepse  adresimi i këtyre problemeve të shtresuara, nuk zgjidhet vetëm me adresime administrative”.

Ministri është shprehur se uzurpimi dhe tjetërsimi i pronës publike është bërë nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet.

“Është e pa-pranueshme se si para syve të institucioneve qendrore e lokale, ne zemër të Prishtinës, në Ulpianë është zhvatur prona e Ministrisë së Bujqësisë duke u lejuar apo duke mbyllur sytë karshi: Ndërtimeve të jashtëligjshme dhe ndërtimeve të vrazhda pa asnjë pasojë nga organet relevante të thirrura për ndalimin e ndërtimeve pa leje!”, është thënë në shkrimin e ministrit të Bujqësisë.

Peci, ka shtuar se me guximin më të madh do të jetë në shërbimin e Kosovës deri në ditën e fundit të mandatit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore