Lajme

Peach: Politikanët e korruptuar dhe kriminelët në Ballkanin Perëndimor do të përballen me pasoja


Stuart Peach

Stuart Peach, i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, përmes një editoriali të tij të titulluar “Përse duhet t’i japim fund lidhjeve mes politikës, krimit të organizuar dhe korrupsionit” ka elaboruar rëndësinë e luftimit të korrupsionit në rajonin e Ballkanit Perënimor, i cili sipas tij dita ditës po minon përpjekjet e të rinjve në këto shtete për të punuar e për të jetuar një jetë të dinjitetshme.

Peach, i cili e quan veten si një mik i rajonit, shkruan se korrupsioni i rrënjosur në këto vende mund të luftohet vetëm me prokurorë të ndershme, gazetarë të guximshëm, policë të përkushtuar e udhëheqës vizionar.

“Ne si Mbretëri e Bashkuar po intensifikojmë përpjekjet tona për t’i shkëputur lidhjet mes politikës, biznesit dhe aktiviteteve të paligjshme si në botë ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor”, shkruan ai.

“Mbështetur mbi Regjimin tonë të Sanksioneve Globale Anti-Korrupsion ne kemi listuar 27 individë të përfshirë në korrupsion serioz në mbarë botën. Një regjistër i ri i Subjekteve Jashtë Vendit do të krijohet mbi Aktin e Krimit Ekonomik, që u kërkon të gjithë atyre që fshihen pas kompanive të huaja dhe që zotërojnë prona në Mbretërinë e Bashkuar të bëjnë publik  identitetin e tyre. Gjithashtu, kemi ngritur ‘Njësinë e re të Kleptokracisë”, në Agjencinë Kombëtare të Krimit, për të vënë në shënjestër shmangien e sanksioneve dhe aseteve të rusëve të korruptuar, që  fshihen në Mbretërinë e Bashkuar”, shpjegon më tej diplomati britanik.

Peach, në editorialin e tij thotë se krimi i organizuar dhe korrupsioni në Ballkanin Perëndimor nënkupton mos arritjen e fondeve publike, të mbledhura nga taksapaguesit, në shkollat, spitalet dhe në infrastrukturën rrugore.

“Për të gjithë ju në Shqipëri dhe në Rajon që po luftoni për reformat, kam edhe unë një mesazh për ju; ne do t’ju mbështesim në reformën tuaj të drejtësisë, e cila ka ndihmuar të largohen zyrtarët e korruptuar dhe kanë ndjekjen penale të figurave të pushtetshme. Ne do t’ju mbështesim në reformimin e proceseve zgjedhore dhe në të gjitha përpjekjet tuaja për transparencë, llogaridhënie dhe demokraci. Ne do të ndihmojmë në rritjen e angazhimit qytetar për t’i kërkuar llogari Qeverisë”, shkruan më tej ai.

Ish-ushtaraku britanik, më tej ka përgëzuar edhe punën e gazetarëve investigativë, të cilët sipas tij kanë arritur të denoncojnë rastet korruptive dhe sidomos lidhjet në mes të politikës, biznesit dhe krimit, edhe pse janë kërcënuar e shantazhuar vazhdimisht nga personat e botës së krimit.

Sipas Peach, mesazhi kryesor i Mbretërisë së Bashkuar për të gjithë ata që janë përfshirë në krim apo korrupsion është se ata nuk do të mund të vazhdojnë rrugën e tyre pa pasoja edhe sidomos nuk do të jenë të mirëpritur në Mbretërinë e Bashkuar.

“Individë të tillë dëmtojnë shoqërinë dhe shtetin e tyre.  Qoftë përmes sanksioneve, masave ndaj emigracionit apo politikave të mosangazhimit, Mbretëria e Bashkuar do të veprojë për të çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Së bashku, do të sigurojmë që askush të mos jetë mbi ligjin”, përfundon Peach.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore