Lajme

PDK: Raportimi i AP-së për aferën me ambalazhues i forcoi konstatimet e DASH-it


Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka vlerësuar se raportimi i fundit i Albanian Post lidhur me rastin e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, rreth keqpërdorimeve prej dhjetëra miliona eurove, ku me vartësit e tij ka falur borxhe për kompanitë e ambalazhuesve të ujit vetëm sa i forcon më shumë konstatimet e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

Në një konferencë të përbashkët deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, së bashku me anëtarin e kryesisë Përparim Gruda, deklaruan se të gjeturat tregojnë më së miri për punën e pushtetit.

“Deri te raportimet e fundit të mediave për faljen e miliona borxheve të kompanive nga ninistri Liburn Aliu, vetëm sa forcojnë edhe më shumë këto konstatime të DASH-it. Fatkeqësisht, siç e keni parë, Vetëvendosja në vazhdimësi ka refuzuar kërkesat tona për themelimin e komisioneve hetimore parlamentare duke shtuar dyshimet tona të bazuara se sa thellë ishin zhytur në këto skandale”.

Deputetja Blerta Deliu-Kodra dhe anëtari i kryesisë Përparim Gruda.

PDK ka vlerësuar se raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), për Kosovën ka shpërfaqur paaftësinë dhe dështimin e skajshëm të Qeverisë Kurti në të gjitha fushat.

“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën, i cili, edhe këtë herë, sikur vitin e kaluar, është tejet i zymtë, tregon më shumë sesa realitetin tonë në Kosovë. Ky raport, që padyshim është kredibil dhe mirë i analizuar, shpërfaqë dështimin e skajshëm të kësaj Qeverie në të gjitha fushat, më të rëndësishmet në udhëheqjen e shtetit”, deklaroi ajo.

Ndërsa, anëtari i kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, u shpreh se në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, përshkruhet me saktësi dobësimi i përgjithshëm i nivelit të sundimit të ligjit dhe në veçanti ndërhyrjet e qeverisë në sistemin e drejtësisë.

“Disa herë në këtë raport gjendet fjalia “ndërhyrjet politike në drejtësi”. Kjo tregon qartë për përpjekjet e vazhdueshme të kësaj qeverie për të mbrojtur njerëzit e saj të korruptuar përmes ndërhyrjeve në organet e sistemit të drejtësisë”.

Ekskluzive: Hajnia multi-milionëshe e Liburn Aliut dhe Naser Hafizit

Çka thuhet në raport?

Në Kosovë ka korrupsion serioz qeveritar thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit të të publikuar këtë të hënë me 22 prill.

Në përmbledhjen fillestare të raportit përmenden të gjeturat kryesore dhe aty thuhet se në Kosovë ka “probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit”, pastaj “kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve” dhe gjithashtu “korrupsion serioz qeveritar”.

Raporti flet edhe për “dhunë të gjerë me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën në familje ose nga partneri intim; dhe krime që përfshijnë dhunë ose kërcënime për dhunë që synojnë pakicat etnike ose komunitetet e tjera të margjinalizuara”.

Sipas raportit Qeveria e Kosovës ka marrë hapa, por ata ishin “jokonsistent për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore