Lajme

PDK-ja kërkon shkarkimin e Berishaj: Prapa tij fshihet lidhja me pushtetin


Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se përfshirja e pushtetit aktual në skandalin e ambasadorit Martin Berishaj tashmë është vërejtur.

Në një konferencë ekskluzivisht për këtë çështje, në dritën e zhvillimeve të fundit nga raportimet e mediave sllovene, Çitaku deklaroi se pavarësisht që puna e Komisionit Hetimor Parlamentar ka qenë e vështirë, “tiparet kriminale”, janë parë.

“Gjatë punës në Komisionin Hetimor Parlamentar jemi angazhuar që kjo çështje të dalë në dritë në tërësinë e saj të plotë, megjithëse ishte një punë sfiduese, pasi kompetencat e Komisionit Hetimor janë të limituara, për ne ishte e qartë se ky rast jo veç që kishte tipare kriminaliteti, por kishte tipare të vetëdijshme të pushtetit në këtë aferë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se për të gjithë këtë skandal është një sqarim që lidhet edhe me kryeministrin e Kosovës.

“Kjo ka një shpjegim të thjeshtë, kjo aferë e ambasadorit Berishaj nuk mund të kuptohet pa elementin substancial kryeministrin Albin Kurti, me tërë këtë skandal, e për të thënë gjysmë të vërteta besojmë dhe vlerësojmë që kjo çështje do të duhej të ishte prioritet për Prokurorinë Speciale”.

Për këto arsye, PDK-ja ka kërkuar largimin e menjëhershëm të ambasadorit Martin Berishaj.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku

“Sepse, në rrafshin institucional kufiri i çdo lloj integriteti për zotëri Berishaj tashmë është kaluar dhe largimi i tij i menjëhershëm është përgjegjësi institucionale, por në dimensionin e lidhjes që i bën bashkë Albin Kurtin e Martin Berishaj, një gjë është shumë e qartë – prapa ambasadorit Berishaj fshihet një lidhje shumë e thellë e pushtetit me mafinë energjetike të vendeve të rajonit”.

“Që nga fillimi i prillit të vitit 2022 dhe gjatë gjithë 2022, si dhe aktualisht Qeveria Kurti është munduar të amnistojë dhe të fshehë një prej skandaleve e aferave më të madhe, protagonistë të së cilës palë i gjen si makinë energjetike të vendeve të Ballkanit si dhe ambasadorin e Republikës së Kosovës, Martin Berishaj, mik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”.

Pavarësisht, përpjekjeve të ekzekutivit për ta fshehur, ky skandal vetëm sa është bërë më i thellë, shprehet ajo.

“Skandali po thellohet çdo ditë e më shumë dhe jo vetëm që tejkalon çështjen e integritetit diplomatik e personal apo edhe ndjekjes penale, por të cilat sot shtrihen deri tek zyra e kryeministrit, Albin Kurti dhe implikojnë vetë shtetin e Kosovës”.

Çitaku ka shtuar se, “këtu kemi të bëjmë me përpjekje për të fshehur gjurmë”.

Çitaku i është referuar edhe një intervistë të Albanian Post, realizuar me gazetarin e mediumit online Prava, Luka Persh, i cili përmes hulumtimit të tij ktheu edhe një herë temën e Berishajt.

“Ka informacione se disa para përfunduan te Kurti dhe Osmani – jemi në fillimin e një storie që do shndërrohet në skandalin financiar më të madh në Ballkan”, intervistë ekskluzive e Albanian Post me gazetarin slloven Luka Persh

Mediumi slloven Prava ka publikuar një shkrim të gjatë me disa të dhëna të siguruara, të cilët pretendojnë se kompania energjetike sllovene GEN-I, e udhëhequr dikur nga kryeministri aktual slloven, Robert Golob, ka përdorur një taktikë fiskale për të shpërlarë parë.

Sipas mediumit, kompania qendrore u ka dërguar para degëve të veta në vende si Bosnja, Serbia e Shqipëria, dhe më pas ka kontraktuar përmes atyre kompanive persona të njohur të cilët do të paguheshin “për shërbime”, të cilët do t’i merrnin ato para, por vetëm për t’i rikthyer tashmë sërish tek padronët e vërtetë e më pas ato të dërgohen nëpër parajsa fiskale apo bursa të ndryshme.

Një nga këta persona që ka kryer role të tilla të lëvizjes së parave thuhet të jetë Martin Berishaj, ambasador i Kosovës në Kroaci dhe shtetas slloven.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore