Lajme

PDK e LDK pranojnë ofertën e Kurtit për zgjedhje të parakohshme – le ta bëjmë  


Ilustrim: Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – dy partitë më të mëdha opozitare në Kuvendin e Kosovës – në mënyrë të menjëhershme kanë pranuar ofertën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu të enjten gatishmëri për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse dëshirojnë partitë opozitare në vend.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) të enjten, kreu i ekzekutivit kosovar garantoi se do t’ia sigurojë opozitës dy të tretat (2/3) e votave të nevojshme për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 tregon se duhen 2/3 e votave dhe s’ka mundësi tjetër që automatikisht të shkohet në zgjedhje; opozita mund të bëhet bashkë me neve – kjo është ofertë e imja. Ne i ndihmojmë opozitës nësë dëshirojnë zgjedhje, pa problem”, u shpreh ai.

Këtë ofertë të kryeministrit pa vënë në pikëpyetje as një minutë e ka pranuar fillimisht kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, Krasniqi ka potencuar se partia të cilën ai drejton nga korriku i vitit të kaluar ka bërë thirrje për shpërndarje të Kuvendit.

“Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati. Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë – nëse ke guxim e të ka mbet pak ndërgjegje për situatën e vështirë që e ke sjellë vendin!”, shkroi ai.

Në anën tjetër kryetari i LDK-së, Lumi Abdixhiku, në një intervistë për Televizonin T7, tha se LDK është e gatshme për zgjedhje që nga sonte, por që nuk e voton asnjë mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale, meqë në vlerësimin e tij Kurti duhet të jap dorëheqje.

“Nëse Kurti është dorëzuar, e duket se është dorëzuar, le të jap dorëheqje. Por, le të ja shpjegoj popullit pse po i lë. LDK nuk bën mocion të shpërbërjes së Kuvendit, por është e gatshme për zgjedhje prej sot. Është e gatshme edhe për qeverisje pas zgjedhjeve”, potencoi Abdixhiku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore