Shqipëria

PDIU fiton një mandat në Këshillin Bashkiak të Mallakastrës


Komisioni Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur që të hapë një kuti votimi në Mallakastër pas kërkesës së PDIU-së.

Kjo, e fundit ka rezultuar e drejtë pasi 63 vota të kësaj force politike i kishin kaluar Partisë Socialiste duke i dhënë një mandat në Këshillin Bashkiak këtij subjekti politik.

Në procesverbal nuk ishte regjistruar asnjë votë për Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Forca e drejtuar nga Shpëtim Idrizi pretendonte se kishte humbur një mandat në Këshillin Bashkiak dhe votat i kishin kaluar një subjekti tjetër.

Më herët, u vërejt një konstatim i ngjashëm pas ankimimit dhe rinumërimit për disa pasaktësi me pesë kuti votimi në Bashkinë e Pukës, ku njëra prej tyre ka nxjerrë një rezultat krejtësisht të pasaktë.

64 vota në emër të Partisë Republikane, të cilat ishin kaluar në llogari të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Kështu u konstatua pas vendimit të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve, lidhur me qendrën e votimit 0425/00, ku në tabelën përfundimtare të rezultateve, ishin pasqyruar 64 vota të vlefshme për subjektin PDIU.

Nga ana tjetër, PR-ja në këtë kuti nuk kishte asnjë votë të vlefshme.

Mirëpo realisht, ka qenë krejt e kundërta dhe në kutinë e votimit, janë gjetur saktësisht 64 vota për PR-në dhe asnjë për PDIU-në.

Kjo ka ngritur edhe shqetësim të madh sa i takon kutive të tjera, ku ka pasur pasaktësi, por ato kanë qenë shumë të vogla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore