Shqipëria

PD nxjerr emrat e “bandës” së Berishës: Për fat të mirë nuk u derdh gjak më 8 janar


Partia Demokratike, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, ka nxjerrë një video-deklaratë ku bën publikë emrat e disa prej mbështetësve të ish-kryeministrit, Sali Berisha, në protestën e 8 janarit, duke i përcaktuar ata si “bandë kriminelësh”.

“Për fat të mirë në 8 janar nuk u derdh gjak, ashtu siç dëshironte dhe kishte planifikuar Berisha me një grusht kriminelësh”, fillon postimi nga partia e djathtë opozitare.

Më tej, aty theksohet se vetë Berisha, ka qenë ndjellës i dhunës dhe frymëzues i saj për javë me radhë. Kjo, pasi deklaroi se nga PD-ja nuk meritonte të ekzistonte nëse nuk e mbronte atë vetë pas shpalljes si non grata nga Departamenti i Shtetit.

Njëkohësisht, strukturat demokrate theksojnë se Berisha dështoi, pasi demokratët e braktisën.

“Ai nuk mban më dot peng as PD-në dhe as Shqipërinë. Mbi rrënojat e dhunës së tij, PD po ngrihet çliruar nga makthi dhe dhuna e së shkuarës, dhe e vendosur për tu ofruar gjithë shqiptarëve të ardhmen që meritojnë”, përmbyllet postimi.

Sakaq, Berisha dhe kreu aktual i demokratëve, Lulzim Basha, janë thirrur nga Prokuroria e Tiranës për të dëshmuar mbi ngjarjet e protestës së 8 janarit në oborrin e selisë blu.

Ndërsa, gjakrat midis fronteve brenda PD-së, janë nxehur edhe më shumë, pasi Basha përjashtoi Berishën dhe tetë anëtarë të tjerë të Komisionit të Rithemelimit nga partia.

Gjithashtu, ai ka pezulluar edhe 19 të tjerë, deri në një “pendesë” të tyre.

Vetë Berisha, përjashtimin e ka quajtur nul. Po ashtu, edhe mbështetësit e tij.

Ndërsa, protesta të radhës, janë paralajmëruar nga ish-kreu i demokratëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore