Shqipëria

PD-ja pa votë në Kongresin e PPE-së


Partitë Popullore Evropiane (PPE), e cila do të mbajë Kongresin e saj më 31 maj dhe 1 qershor 2022 në Roterdam, Holandë nuk ka të ftuar asnjë delegat nga Partia Demokratike (PD) në Shqipëri.

Kongresi i Roterdamit është i një rëndësie të veçantë, pasi pritet të zgjidhet dhe presidenti i ri i kësaj partie.

Sipas dokumenteve të publikuara në faqen e internetit të Partisë Popullore Evropiane, PD-ja nuk ka asnjë delegat, i vetmi vend nga lista e partive që janë pjesë e PPE.

Partia Demokratike është pjesëtare e PPE-së që nga viti 2003.

PPE-ja është partia politike më e madhe dhe më me ndikim në nivel evropian e qendrës së djathtë, e cila aktualisht përfshin 81 parti dhe partnerë nga 43 vende.

Mbështetja ndërkombëtare

Kujtojmë se para se Sali Berisha të zgjidhej kryetar i PD-së, deputeti kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum (partia e të cilit është pjesë e PPE-së), në një intervistë të dhënë për multimedialen gjermane “Deutsche Welle”  u shpreh se nëse “do të ketë kthim në të djeshmen, në mos të pardjeshmen, atëherë kjo nuk mund të gjejë mbështetjen time personale”.

Gjithashtu ai ka thënë se i vjen “shumë keq për zhvillimet në PD dhe nuk jam i vetmi”.

Gunther Krichbaum, deputeti i CDU-së

“Sigurisht që është çështje e vet partisë se kë dëshiron të zgjedhë për lider. Neve nuk na takon të ndërhyjmë. Por kjo do të thotë edhe për ne dhe për mua personalisht, se unë do të vazhdoj të punoj dhe ta mbështes PD-në vetëm nëse jepet një sinjal largpamës në përzgjedhjen e kryetarit”.

Krichbaum shtoi se, nëse PD kthehet tek e shkuara “unë do të angazhohesha që të pezulloheshin procedurat për anëtarësim në nivel të Partisë Popullore Evropiane”.

I pyetur për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili është i shpallur persona non-grata nga SHBA-të, deputeti theksoi se “amerikanët kanë gjetur fjalë të qarta dhe mendoj se partia bën mirë që fjalë të tilla të mos i lërë pa i dëgjuar”.

“Partia lipset të marrë një vendim të mençur dhe të marrë parasysh efektin në planin ndërkombëtar, nëse në të vërtetë ndjek pretendimin se jo vetëm dëshiron të bashkëpunojë në nivel ndërkombëtar, por edhe të marrë në dorë drejtimin e vendit”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore