Lajme

Pas vërshimeve, shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Skenderaj


Situata në Skenderaj pas vërshimeve.

Kryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në komunën e Skenderajt.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Nura ka thënë se tek ky vendim kanë arritur për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut.

“Si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, nga e cila gjendje është rënduar situata në përgjithësi, si dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës sonë”, ka shkruar ai.

Tutje, Nura bëri të ditur se kanë formuar edhe Shtabin Emergjent që tashmë ndodhet në teren.

“Që nga orët e mëngjesit, secila drejtori me njësitë dhe shërbimet vartëse, ndërkohë që edhe me mbështetje të Shërbimit të zjarrfikësve, është angazhuar të bëjë maksimumin e punës që situata të jetë nën kontroll, me gjithë vështirësitë dhe kapacitetet ekzistuese karshi sasisë së madhe të ujit nga reshjet e shiut”.

“Në disa fshatra gjendja është jo e mirë, ndërkohë që ekipet dhe shërbimet komunale me makinerinë e punës po i trajtojnë me kujdes telashet e shkaktuara”.

Më 19 janar, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se gjatë ditëve në vijim pritet që të ketë vërshime në disa zona për shkak të reshjeve të shiut.

Instituti, ka paralajmëruar vërshime edhe gjatë ditëve në vijim me reshjet që po vazhdojnë.

“Situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdoj dhe gjatë ditëve në vijim, prandaj edhe nivelet dhe prurjet e lumenjve, pritet të ngritën dhe të shkaktojnë vërshime/përmbytje”.

Reshjet e 18 janarit, kanë nisur të shkaktojnë probleme të mëdha në disa komuna.

Në qytetin e Pejës, disa rrugë dhe lokale janë duke u rrezikuar nga përmbytja si pasojë e sasisë së madhe të ujit.

Kurse në rrugën “Bill Klinton” në Pejë, qytetarë të shumtë është raportuar se janë duke bërë përpjekje që të parandalojnë depërtimin e ujit nga kanali i hapur.

Shirat e furishëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.

Gjatë viteve të kaluara vazhdimisht është raportuar për dëme në shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore