Kosova

IHK paralajmëron për mundësinë e vërshimeve në Kosovë


Ilustrim.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se edhe gjatë ditëve në vijim pritet që të ketë vërshime në disa zona për shkak të reshjeve të shiut.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, IHK ka paralajmëruar vendet të cilat mund të kenë vërshime.

“Si pasojë e reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit, sidomos në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të Kosovës, disa lumenj, kryesisht ata me karakter të rrëkeve, kanë paraqitur disa vërshime të shpejta, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës”, është thënë nga ky Institut.

Nga ta, është thënë se aktualisht kanë pasur disa përmbytje të lumenjve.

“Ndërsa nëpër disa segmente të lumenjve kryesorë janë shkaktuar edhe përmbytje të lokalizuara lumore, ka shtuar tutje IHK-ja duke shtuar se këto përmbytje mund të kenë shkaktuar vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit, por edhe përmbytje të tokave bujqësore”.

Instituti, ka paralajmëruar vërshime edhe gjatë ditëve në vijim me reshjet që po vazhdojnë.

“Situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdoj dhe gjatë ditëve në vijim, prandaj edhe nivelet dhe prurjet e lumenjve, pritet të ngritën dhe të shkaktojnë vërshime/përmbytje”.

Reshjet e 18 janarit, kanë nisur të shkaktojnë probleme të mëdha në disa komuna.

Në qytetin e Pejës, disa rrugë dhe lokale janë duke u rrezikuar nga përmbytja si pasojë e sasisë së madhe të ujit.

Kurse në rrugën “Bill Klinton” në Pejë, qytetarë të shumtë është raportuar se janë duke bërë përpjekje që të parandalojnë depërtimin e ujit nga kanali i hapur.

Shirat e furishëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.

Gjatë viteve të kaluara vazhdimisht është raportuar për dëme në shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore