Lajme

Parlamenti i Republikës Srpska kërkon nga shtetet e OKB-së dhe BE-së ta çnjohin Kosovën


Milorad Dodik

Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska (RS) – entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH) – të enjten e 8 qershorit miratoi me shumicën e votave “Rezolutën për mbrojtjen e serbëve në Kosovë dhe mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”.

Së bashku me këtë rezolutë janë miratuar edhe konkluzionet me të cilat RS-ja kërkoi nga shtetet anëtare të organizatave ndërkombëtare – Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), Këshilli i Evropës (KiE) dhe Bashkimi Evropian (BE) – që ta tërheqin njohjen e Kosovës.

Konkluzionet thuhet se do t’i dërgohen Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Parlamentit Evropian, parlamenteve të shteteve të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë dhe përfaqësuesve të RS-së në institucionet e BeH-së.

Shumica në trupin më të lartë legjislativ të entitetit serb në BeH udhëhiqet nga Aleanca e Socialdemorkatëve të Pavarur (SNSD) në krye me liderin nacionalist të serbëve të BeH-së, Millorad Dodik, i cili njëherësh është edhe presidenti i RS-së.

Dodik, cili ka mbështetjen e heshtur nga Rusia dhe Serbia, prej vitesh mbron idenë e ndarjes së entitetit serb për ta bërë atë pjesë të Serbisë. Megjithatë, një veprim i tillë nuk ka gjasa të fitojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe pjesës më të madhe të Perëndimit.

Ndryshe, tensionet janë kthyer në pjesën veriore të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave në veri të vendit – Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Serbët lokalë janë duke protestuar që prej 29 majit në këto komuna të banuara me shumicë serbe, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale. Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera partnere të QUINT-it – Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe – për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë, fajtore e kanë bërë Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti.

Me sanksione/pasoja tepër serioze është kërcënuar Qeveria e Kosovës po që se nuk përmbush tri kërkesa “të qarta” të partnerëve ndërkombëtarë për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ndërsa presin një përgjigje pozitive deri të premten.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ia kanë paraqitur autoriteteve kosovare.

Autoritetet e Kosovës kanë shprehur gatishmëri që t’i dëgjojë kërkesat e serbëve lokalë dhe të pajtohen për rizgjedhje në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, pas tensioneve të fundit atje. Por me kusht që serbët të mos i bojkotojnë ato si herën e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore