Lajme

Parlamenti i BE-së mbështet emërtimin si “të gjelbra” për gazin dhe investimet bërthamore


Parlamenti Evropian u ka dalë në mbështetje të mërkurën e 6 korrikut rregullave të Bashkimit Evropian (BE), sipas të cilave investimet në gaz dhe termocentralet bërthamore janë “miqësore me klimën”, duke hedhur poshtë një përpjekje për të bllokuar ligjin që ka ekspozuar përçarje të thella midis vendeve sesi të luftojnë ndryshimet klimatike.

Votimi hap rrugën që propozimi i BE-së të kalojë në ligj. Kjo, përveç nëse ndodh që 20 nga 27 shtetet anëtare të bllokut vendosin të kundërshtojnë masën, e cila shihet si shumë e pamundur.

Rregullat e reja do të shtojnë termocentralet e gazit dhe ato bërthamore në rregulloren e “taksonomisë” së BE-së nga viti 2023, duke u mundësuar investitorëve të etiketojnë dhe tregtojnë investimet në to si “të gjelbra”.

Nga 639 ligjvënës të pranishëm, 328 kundërshtuan mocionin për të bllokuar propozimet e BE-së për gazin dhe centralet bërthamore, ndërsa 278 votuan për bllokimin e propozimeve, 33 abstenuan.

Kundërshtarët e rregullave të reja nuk arritën të siguronin 353 votat e nevojshme për të marrë shumicën në parlamentin me 705 vende.

Ky do të jetë një lehtësim për Komisionin Evropian, i cili propozoi rregullat në shkurt pas më shumë se një viti vonesë dhe lobimi intensiv nga qeveria dhe industria e gazit dhe bërthamës.

Taksonomia e BE-së është një ligj historik i krijuar për të pastruar botën e turbullt të investimeve të qëndrueshme, duke siguruar që çdo produkt financiar, që pretendon se është ambientalist, t’u përmbahet standardeve strikte.

Parlamenti Europian

Debati mbi gazin dhe centraleve bërthamore ka përçarë vendet e BE-së, ligjvënësit dhe investitorët. Brukseli i rihartoi rregullat disa herë, duke u lëkundur nëse do t’i jepte termocentraleve të gazit një etiketë ambientaliste apo jo.

Propozimi i tij përfundimtar nxiti debat të ashpër rreth asaj se si të arrihen objektivat klimatike në mes të një krize me Rusinë për furnizimet e saj me gaz.

Energjia bërthamore është e lirë nga emetimet e CO2, por prodhon mbetje radioaktive.

Gazi prodhon emetime për ngrohjen e planetit, por disa shtete të BE-së e shohin atë si lëndë djegëse tranzicioni në largimin nga qymyri.

Franca e varur nga centralet bërthamore dhe Polonia, që përdor shumë qymyr, ishin mes atyre që mbështetën rregullat e reja.

Qeveritë e Austrisë dhe Luksemburgut kanë kërcënuar se do të padisin BE-në nëse propozimi i saj bëhet ligj, ndërsa Danimarka dhe të tjerët paralajmëruan se masa për të konsideruar gazin që emeton CO2 si të gjelbër, do të minonte besueshmërinë e BE-së në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Ligjvënësit gjithashtu nuk pajtohen se si ligji do të ndikojë në tregjet financiare, me disa paralajmërime se projektet e gazit dhe ato bërthamore mund të përballen me kosto më të larta kapitale nëse atyre u mohohet statusi “i gjelbër”.

Të tjerë sugjerojnë se simbolika politike e taksonomisë e tejkalon ndikimin që do të ketë tek investitorët, pasi ligji nuk ndalon investimet në aktivitete pa etiketën “e gjelbër”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore