Sport

Parlamenti Evropian voton kundër Superligës dhe Kupës së Botës çdo dy vite


Komisioni i Sportit dhe Kulturës në Parlamentin Evropian ka votuar kundër projektit të Superligës dhe propozimit që Kupa e Botës të organizohet çdo dy vite.

Gjatë mbledhjes së sotme, votat kundër këtyre propozimeve kanë qenë pothuajse unanime.

29 nga 30 pjesëmarrësit e komisionit votuan kundër, kurse vetëm një votoi pro.

Parlamenti Evropian

Kjo me shumë mundësi do të thotë përfundimi i idesë së Kupës së Botës për çdo dy vite, por jo edhe fundi i projektit të Superligës.

Superliga dhe krijuesit e saj tani janë futur në një luftë pa kthim me institucionin më të lartë të futbollit evropian, UEFA-n, dhe vendimi do t’i takojë Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë

Vendimi i Gjykatës Evropiane do të jetë përfundimtar, dhe çdo gjë tjetër që vjen para ose pas saj, barazohet me zero.

Gjithsesi, fjala e komisionit për Sport dhe Kulturë në Parlamentin Evropian, tregon zërin e bashkuar të shteteve evropiane që ta ‘mbrojnë’ futbollin dhe dinjitetin e tij aktual.

Në këtë mbledhje, sot u bë edhe një propozim shumë i rëndësishëm sa i përket blerjes së klubeve, që pritet të marrë aprovimin nga të gjithë.

Pronari i ri i Newcastle United, Mohammed Bin Salman, që i shndërroi anglezët në klubin më të pasur në botë

Propozimi thotë që asnjë investitor i huaj nuk mund të blejë më shumë se 49% të të drejtave të klubeve evropiane.

Është hera e parë që ky komision merr vendime kaq të rëndësishme, që tash e pas pritet të kenë ndikim shumë të madh në mënyrën se si veprohet me futbollin në kontinentin e vjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore