Lajme

Parlamenti Evropian mblidhet më 17 janar, në agjendë vjedhja e votave në Serbi


Parlamenti Evropian

Parlamenti Evropian (PE) votoi pro përfshirjes së çështjes së parregullësive në zgjedhjet e parakohshme të Serbisë në rendin e ditës së seancës plenare të së mërkurës (17 janar), ndërsa debati i eurodeputetëve pritet të pasohet nga një rezolutë e cila do të miratohet në seancën e radhës plenare.

Andreas Schieder, eurodeputeti austriak nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), derisa justifikoi propozimin për përfshirjen e kësaj çështjeje në seancën pleanare të PE-së, tha se zgjedhjet serbe janë shënuar nga parregullësitë serioze, përfshirë votuesit fantazmë.

“Kur vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, duke përfshirë PE-në dhe mua personalish, ngritëm këto çështje, qeveria dhe vetë presidenti sulmuan vëzhguesit ndërkombëtarë. Prandaj, jam i lumtur që shumica e grupeve u pajuan që të ketë debat gjatë seancës plenare”, deklaroi Schieder të martën.

Propozimi i S&D-së për debat u miratua me 270 vota pro dhe 37 kundër, duke gjetur mbështetje të madhe, ndërsa propozimi për rezolutë në seancën e radhës u miratua me 185 vota pro dhe 105 kundër. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale u zhvilluan në Serbi më 17 dhjetor të vitit të kaluar.

Në Serbi nisi një valë e protestave të opozitës nga vera e vitit të kaluar dhe kulmuan pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, për shkak të parregullsive serioze e rasteve të frikësimit, përfshirë edhe blerjen e votave nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, megjithëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mohoi akuzat për vjedhje gjatë procesit elektoral.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore