Sport

Paredes mund të quhet lojtar i Juventus-it


Futbollisti i Paris Saint-Germain, Leandro Paredes, do të bashkohet me skuadrën e Juventus-it.

Këtë lajm e ka konfirmuar edhe vetë trajneri i PSG-së, Christophe Galtier, i cili ka thënë se Paredes ka arritur marrëveshje me klubin italian.

Galtier tha se mesfushori argjentinas nuk është grumbulluar në ndeshjen e radhës, që PSG do ta zhvillojë kundër Toulouse në kampionat të mërkurën.

“Paredes nuk do të përfshihet në skuadër pasi ka arritur marrëveshje me Juventus-in”, tha trajneri francez.

Detaje tjera rreth transferimit nuk janë dhënë, por flitet që Paredes do të shkojë në Torino në formën e huazimit me të drejtë blerje.

28-vjeçari është pjesë e kampionëve të Francës që nga janari i vitit 2019, kur u transferuar nga rusët e Zenit-it për 40 milionë euro.

Deri më tani ai është paraqitur në 95 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Parisit, prej të cilave ka shënuar tre gola dhe ka dhuruar tetë asistime.

Paredes ka përvojë të mirë në Serie A, pasi para se të transferohej në Rusi, ai luajti për Chievo Verona-n, Empoli-n dhe Romën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore