Lajme

Para takimit me Vuçiç-in, Kurti takohet me Escobarin


Albin Kurti dhe Gabriel Escobar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pak para takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, është takuar me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Siç njofton zyra e kryeministrit ky takim ishte miqësor e produktiv, “të cilin kryeministri Kurti e filloi duke e falënderuar Escobar-in për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e votimit në fazën e parë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke e cilësuar atë të arritur meritore të Republikës së Kosovës”.

“U diskutua për takimin e sotëm, agjendën dhe pritjet, teksa u theksua nevoja e zbatimit të plotë, në mirëbesim dhe pa kushtëzime të asaj që është dakorduar me 27 shkurt në Marrëveshjen Bazë dhe 18 mars në Planin e Zbatimit”.

Ndryshe, gjatë ditës u bë e ditur se i pranishëm në takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në mes të Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç’it në Bruksel më 2 maj përveç shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell e të deleguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të jetë i pranishëm edhe emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kjo u bë e ditur në një njoftim të Departamentit Amerikan të Shtetit ku ndër të tjera konfirmohet një konferencë për media të cilën top-diplomati amerikan do të realizojë më 3 maj një ditë pas takimit të radhës Kurti-Vuçiç, për të folur pikërisht për takimin e 2 majit dhe rezultatit të cilën ai do të prodhojë.

Ndryshe, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, të martën në Bruksel në takimin parë pas dakordësimit për Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit do të diskutojnë për të gjetur pajtim në atë se çfarë nënkuptojnë palët me Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe dhe çfarë me Vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.

Përbëjnë këto të njëjtën gjë, apo njëri është proces i shkëputur nga tjetri, përkundër se të dyja derivojnë nga dialogu në Bruksel? Si do të rregullohet njëra problematikë, si tjetra, apo të dyja duhet të kenë një zgjidhje të përbashkët?

Këto janë disa nga çështjet që do t’i diskutojnë kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë në takimin e parë të nivelit të lartë në Bruksel që nga ai i 18 marsit në Ohër, kur u arrit njëfarë akordi për aneksin implementues të Marrëveshjes për Rrugën Drejt Normalizimit të Marrëdhënieve të pajtuar me 27 shkurt.

“Kosova dhe Serbia fillojnë procesin e negocimit mbi atë se çfarë është Asociacioni dhe Vetëmenaxhimi dhe çfarë nuk është Asociacioni dhe Vetë menaxhimi. Nesër fillon dhe mbaron diku në shtator, tetor”, i ka thënë Albanian Post-it një burim i afërt me procesin dialogus në Bruksel.

Përtej këtyre, të martën gjithashtu Kurti njoftohet me statutin e Asociacionit të hartuar nga grupi punës i përbërë nga serbët të Kosovës dhe i udhëhequr nga deputetja e partisë së Vuçiç-it, Danijela Vujiçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore