Shqipëria

Panairi i 24-t i Librit rikthehet në Pallatin e Kongreseve


Një iniciativë që do të merrte fill në vitin 1998 nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, duke u kthyer në një traditë.

Për gati çerek shekulli, botues, shkrimtarë dhe lexues takohen në muajin më të dashur të librit (nëntor), në Pallatin e Kongreseve, për Panairin Kombëtar të Librit.

Tirana është qyteti mikpritës, që përgjatë pesë ditëve, frekuentohet nga botues kombëtarë, por edhe përtej kufijve të Shqipërisë.

Shtëpi botuese nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë prezente me stendat e tyre.

Me qëllim inkurajimin e botimeve të reja të vitit 2021, por edhe të mëparshmet, Shoqata jep ndihmesën e saj të vyer për promovimin e kulturës kombëtare shqiptare.

Ndryshe nga një vit më parë…

“… Panairi i 24-t i Librit do të zhvillohet, fizikisht, në Pallatin e Kongreseve, përgjatë datave 17-21 nëntor. Për të mos përsëritur një edicion të Panairit të Librit, si ai i kaluari që u realizua online, botuesit duhet të tregohen të përpiktë në ndjekjen e masave të nevojshme kundër përhapjes së COVID-19”.

Moment gjatë një Panairi të Librit, në Pallatin e Kongreseve

Është kjo thirrja që u bën botuesve kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, për të pasur “një panair sa më të shëndetshëm”.

“Pasi vlerësuam shumë seriozisht situatën shëndetësore që po kalon Shqipëria, kemi menduar që ta bëjmë këtë aktivitet të realizueshëm, duke zbatuar të gjitha rregullat dhe praktikat e ndjekura edhe në këtë periudhë”, thotë Petrit Ymeri për Albanian Post.

Deri më tani, në kuadër të fushatës “Shqipëria Buzëqesh”, në vendin tonë janë vaksinuar mbi 1.8 milionë qytetarë, ndërkohë që rastet e reja dhe fatalitetet janë në rënie.

Sipas Komitetit Teknik i Ekspertëve, duke filluar nga 1 nëntori do të nisë edhe inokulimi i dozës së tretë te personat mbi 60 vjeç.

Po ashtu, mbi 800 mijë të tjerë kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.

Moment gjatë një Panairi të Librit, në Pallatin e Kongreseve

Aktualisht, Shqipëria administron rreth dy milionë vaksina.

Vaksinat e përdorura janë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

“Vaksinohuni!”

Në vijim të fjalës së tij, kreu i Shoqatës u kërkon botuesve që të marrin masa për vaksinimin e të gjithë punonjësve apo të personelit që do të jenë në stendat, si dhe në ambientet e Panairit të Librit.

“Këto masa do të shmangin riskun e përhapjes së virusit, si dhe do të bëjnë të mundur realizimin e një panairi pa problematika shoqëruese”, ravijëzon ai.

Sa u përket vizitorëve, Petrit Ymeri shpjegon se, “do të ketë rregulla dhe kërkesa që do t’i vendosim në bazë të situatës dhe të porosive të organeve kompetente”.

Moment gjatë një Panairi të Librit, në Pallatin e Kongreseve
Masa sanksionuese

“Kundërvajtësit do të gjobiten apo penalizohen në bazë të ligjeve apo rregullave në fuqi”, bën me dije kreu i Shoqatës së Botuesve.

Ai jep edhe detaje për mënyrën e funksionimit: “Të gjithë ekspozuesit do të dorëzojnë paraprakisht tek organizatorët e Panairit listat dhe dokumentacionin e duhur që vërteton vaksinimin e plotë me dy doza”.

“Nuk do të lejohet asnjë subjekt apo person të marrë pjesë në Panair pa u vaksinuar”.

Në fund, kryetari duke ftuar të gjithë dashamirësit e librit, botues, shkrimtarë dhe lexues, shprehet mirënjohës edhe ndaj Bashkisë së Tiranës dhe Qendrës Kombëtare të Librit, për “bashkëpunimin me Shoqatën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore