Shqipëria

Dritë jeshile për dozën e tretë të vaksinës në Shqipëri – Komiteti vendos


Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri, në mbledhjen e tij të radhës, mund t’i hapë dritën jeshile aplikimit të një doze të tretë të vaksinës anti-COVID.

Ka qenë ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila deklaroi se “Komiteti i Imunizimit ka rekomanduar futjen në protokolle të dozës së tretë të vaksinës për coronavirus-in, por fjala u takon ekspertëve”.

Albanian Post është interesuar pranë Komitetit Teknik të Ekspertëve për të kuptuar diçka më shumë mbi mënyrën e procedimit.

Doktoresha Aida Bushati, anëtare e Komitetit, ka bërë me dije se, doza e re do të kryhet gjashtë muaj pas bërjes së dozës së dytë dhe se do ta kryejnë personat mbi 60 vjeç dhe grupet e riskut që janë në kontakt me njerëzit.

“Ata duhet të paraqiten me certifikatën e vaksinimit, kartën e identitetit që të marrin dozën e tretë”, ka thënë Bushati.

Ndër të tjera, ekspertja e mjekësisë, ka ravijëzuar se doza mund të bëhet edhe nga personat “nën 60 vjeç”, nëse vuajnë nga sëmundjet hematologjike, imunosuprimuar apo sëmundje që i vendosin në rrezik.

Sipas saj, “një dozë përforcuese” është gjithmonë “një rikujtesë”, prandaj u bën thirrje të gjithëve, që të mos hezitojnë.

Aplikimi i dozave rikujtuese, “jo një praktikë e re”

Mjeku infeksionist, Pёllumb Pipero, në një prononcim për Albanian Post, thotë se “aplikimi i dozave rikujtuese tё imunitetit nuk ёshtё njё praktikё e re. Pёrkundrazi, nё pandemi ёshtё edhe rekomandim i fortё dhe plot kuptim”.

Duke hedhur një vështim më tej, disa shtete tashmë janë “një hap përpara” inokulimit të dozës së tretë.

Kështu në Itali, Ministria e Shëndetësisë, “i dha dritën jeshile” më 9 tetor inokulimit të një doze te personat delikatë.

Tek ata që vuajnë nga sëmundje të frymëmarrjes (fibroza pulmonare idiopatike); sëmundjet kardiovaskulare, neurologjike, si dhe tek ata me çrregullime neurologjike disimune etj.

Sipas ministrisë së këtij shteti, “doza e tretë duhet të administrohet pas të paktën gjashtë muajve nga përfundimi i ciklit të vaksinimit parësor”.

Republika Çeke, duke filluar nga 20 shtatori, rekomandoi që kushdo që ishte vaksinuar plotësisht “të merrte dozën e tretë përforcuese”. Kjo për njerëzit mbi 60 vjeç.

Politika të ngjashme janë marrë edhe në Gjermani dhe Francë, të cilat po nxisin njerëzit e moshuar për një dozë përforcuese.

Izraeli, nga ana tjetër, ka vendosur që përforcuesja të bëhet për njerëzit e vaksinuar duke filluar që nga mosha 12 vjeç.

Me gjithë vërshimin e dozave nxitëse në kombet më të pasura, shkenca nuk është ende e qartë nëse ato janë të nevojshme.

Disa studime sugjerojnë se mbrojtja që ofrojnë vaksinat kundër infeksionit dhe sëmundjeve të lehta mund të jetë e ulët.

Por ato mbeten shumë efektive në parandalimin e rezultateve më të këqija, përfshirë sëmundjet e rënda dhe vdekjen.

Megjithatë, ekspertët përgjithësisht pajtohen se një injeksion i tretë është “lajm i mirë” për njerëzit me sistem imunitar të komprometuar, të cilët mund të mos kenë ngritur një përgjigje të fortë imune ndaj dozave fillestare.

Me variantin Delta nëpër këmbë duket se edhe Shqipëria do t’u bashkohet shteteve të tjera, megjithatë duhet pritur fjala e Komitetit për të dhënë dritën jeshile të inokulimit të dozës së tretë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore