Shqipëria

Paloka: Zgjidhja e ngërçit në PD, verifikimi i firmave


Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në Shqipëri, Edi Paloka, ka propozuar një zgjidhje për ngërçin e krijuar në partinë opozitare me mbledhjen e firmave për të thirrur Kuvendin Kombëtar.

“Do t’i propozoja dhe u kam propozuar palëve një zgjidhje që të ishte shteruese dhe të hiqet çdo dyshim që ka mes palëve”, ka thënë ai për mediat.

Më tej, Paloka ka sqaruar se “statuti nuk parashikon procedurë”, dhe se “palët nuk kanë besim. Të caktojnë nga një person dhe njerëzit të merren. Për njërën palë, Ivi Kaso dhe palën tjetër Ervin Minarolli, personi që merret në sekretariat”.

Ndër të tjera, kreu i Këshillit ka thënë se ky është një propozim, “që palët të ulen dhe të eliminojnë hijet e dyshimit. Të ecim dhe të çojmë procesin para. Të vijnë në zyrën time të bëjnë verifikimet një nga një për 4 mijë e 200 firmat që janë në zyrën time”.

Kjo, sipas tij, pa praninë e sulmeve apo dyshimeve të mëtejshme.

Në përmbyllje, ai ka shtuar se “nëse palët nuk pranojnë, i bie që nuk duan të ketë zgjidhje”.

Mbledhja e Kryesisë
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi

PD-ja do të mbledhë sot, më 15 nëntor, Kryesinë e saj.

Lajmi është bërë i ditur nga sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, i cili përmes një mesazhi ka njoftuar demokratët për mbledhjen.

Në rend dite do të jetë situata politike e kësaj partie.

Bardhi, në mesazhin e tij, ka paralajmëruar marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike dhe funksionimin demokratik të organeve të saj.

“Diskutime dhe vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike dhe funksionimin demokratik të organeve të saj”, shkruhet aty.

Mbledhja do të zhvillohet në sallën e mbledhjeve të Grupit, Kati i II, Selia Qendrore e PDSH.

Situata në Partinë Demokratike ka agravuar, në një kohë që ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij kanë depozituar në zyrën e kreut të Këshillit Kombëtar, Edi Palokës, 4 mijë e 200 firma për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Basha dhe Bardhi në deklaratat e tyre e kanë cilësuar një nismë të tillë si shkelje të statutit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore