Shqipëria

Paga minimale do të shkojë së shpejti në 40 mijë lekë, thotë Rama


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se paga minimale së shpejti do të shkojë në 40 mijë lekë.

Kjo, sipas kreut të Qeverisë mund të realizohet brenda disa javësh dhe do të fillojë aplikimin brenda shumë pak muajsh.

Lajmi u bë i ditur gjatë një takimi me studentët ekselentë në ambientet e Kryeministrisë.

“Ne nuk duam që të ketë një pagë më të ulët se 40 mijë lekë në Republikën e Shqipërisë, qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat”, shtoi Rama.

Në vijim të fjalës së tij, kryeqeveritari nënvizoi se brenda dy vitesh paga minimale do të shkojë në 45 mijë lekë.

Gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, kryeministri paralajmëroi se paga minimale do të rritet deri në 40 mijë lekë më shpejt nga sa ishte parashikuar.

“Nuk kemi një paketë tjetër, por kemi bërë një rritje të qëndrueshme. Në buxhetin e 2023-it do të vendosim një financim të veçantë për të përballuar situatën. Do të kemi dyfishin e buxhetit të 2013”, theksonte kreu i qeverisë.

Kujtojmë se në prezantimin e paketës së dytë të rezistencës sociale Rama theksoi se nuk do të ketë pagë më të ulët se 34 mijë lekë në Shqipëri.

Nga ana tjetër, ishte ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj e cila bëri me dije se rreth 900 mijë persona përfitojnë nga rritja e pensioneve dhe rritja e pagës minimale.

Rama: Brenda mandatit paga minimale do të rritet në 40 mijë lekë

Rama prezanton paketën e dytë të rezistencës sociale, rritet paga minimale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore