Shqipëria

Pacolli jep lajmin e mirë: Projektimi i Aeroportit të Vlorës është duke avancuar


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe sipërmarrësi nga Kosova, Behgjet Pacolli, janë bërë bashkë mbrëmjen e 19 majit “për një darkë pune”, ashtu siç e ka cilësuar Rama në Facebook.

Arsyeja e darkës ka qenë biseda mbi projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Sipas Pacollit, qëllimi është ta bëjnë atë “një aeroport modern që do të shërbejë si një ‘HUB’ ndërkombëtar”.

Gjithashtu, sipërmarrësi ka bërë të ditur lajmin se projektimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës është duke avancuar.

Në mbyllje të darkës, kryeministri Rama i ka dhuruar një set të verës shqiptare Kallmet.

“Kisha kënaqësinë e marrjes me vete të edicioni special të verës shqiptare ‘Kallmet’, etiketuar e ambalazhuar nga artisti Edi Rama”, shkruante Pacolli në median sociale Facebook.

Premtimi për Aeroportin e Vlorës

Edi Rama, së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, të martën e 20 prillit kanë nënshkruar marrëveshjen me kompaninë e Behgjet Pacollit për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Ndërsa ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, më herët gjatë një aktiviteti nismëtar të mbjelljes së 10 mijë e 800 fidanëve në zonën e Nartës u shpreh se “Aeroporti i Vlorës i jep zhvillim ekonomik dhe turistik polit të jugut”.

Ai theksonte faktin se, në këtë zonë, ka qenë aeroporti ushtarak dhe nuk prek zonën e mbrojtur të Nartës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore