Lajme

Pacolli, Borrell-it: Kosova s’është vend pa ligj, të mos inkurajohen aktet e dhunës


Behgjet Pacolli

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, i ka reaguar Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili të premten është shprehur tejet i alarmuar për situatën në Veri, sidomos pas arrestimit të një serbi dhe pas marshimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Mitrovicë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Pacolli ka thënë se “Borell dhe gjithë të tjerët duhet të kuptojnë mirë se Kosova nuk është një vend pa ligj”.

“Rendi dhe ligji zbatohet në të gjithë territorin. Askush nuk duhet t’i kërkojë Kosovës asgjë tjetër përveç vendosjen e rendit dhe ligjit”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar se “Kosova nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë një vend ku terroristët veprojnë lirshëm”.

Teksa i ka reaguar kryediplomatit evropian, ish-presidenti i Kosovës ka postuar edhe fotografinë e armatimit që u konfiskua nga policia të premten të Veri të Kosovës, ku u tha se u parandalua një sulm terrorist.

Kreu i AKR-së theksoi se “Policia e Kosovës është institucion i respektuar dhe e kryen punën e saj sipas ligjeve të Kosovës”.

“Të qëndrojmë në dialog, të japim rezultate, por asnjëherë të mos inkurajojmë aktet e dhunës!”, përfundoi ai.

Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është shprehur tejet i alarmuar nga situata e sigurisë në Veri të Kosovës, sidomos pas arrestimit të një serbi nga Policia e Kosovës dhe marshimit të ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë, të premten.

“Shumë i alarmuar nga situata në Veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë”, ka shkruar Borrell në rrjetin e tij social në Twitter.

Ndërsa, edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Twitter, ka reaguar ndaj deklaratave të përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili u shpreh tejet i alarmuar nga situata e sigurisë në Veri të Kosovës, sidomos pas arrestimit të një serbi nga Policia e Kosovës dhe marshimit të ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë, të premten.

Kurti fillimisht shkroi se Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka qenë plotësisht i informuar për marshimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë të Jugut, për të cilën Borrell ishte shprehur i shqetësuar.

“Stërvitjet e sotme të Regjimentit të 3-të të FSK-së në Mitrovicën Jugore janë aktivitete rutinore, të planifikuara çdo vit, për të cilin KFOR-i ishte plotësisht i informuar. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm.”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Shefi i ekzekutivit ka sqaruar edhe çështjen e arrestimit të serbëve në Veri, për të cilën Borrell tha se ndihet i shqetësuar sidomos për faktin se serbët po arrestohen nga institucionet kosovare pa procedura paraprake gjyqësore.

“Bazuar në prova të shumta dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe të drejtat e procesit të rregullt ligjor, Policia arrestoi një person në Mitrovicë të Veriut për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan më 29 maj. Si kryeministër i një shteti demokratik, nuk kam asnjë përfshirje në hetimet dhe arrestimet”.

Pas sqarimeve Kurti ka theksuar se në këtë fazë përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme vetëm sa e përshkallëzojnë tensionet dhe ndihmojnë ata që kërkojnë t’i ndezin ato.

“Një thirrje për të gjithë: ju lutemi konfirmoni burimet tuaja dhe prisni informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës përpara se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve ose parashikimin e ngjarjeve”.

Kurti i përgjigjet Borrell-it: KFOR-i ishte i informuar për shkuarjen e FSK-së në Mitrovicë, dezinformimi është i rrezikshëm e i papranueshëm

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore