Lajme

Pacientët me Delta, dy herë më shumë nevojë për kujdes spitalor


Disa të dhëna nga Anglia kanë nxjerrë se njerëzit kanë dy herë më shumë gjasa të kenë nevojë për kujdes spitalor nëse janë të sëmurë me variantin Delta, krahasuar me atë Alpha ose Kent, që dikur ishte i zakonshëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se sipas ekspertëve, studimi i botuar në The Lancet, përforcon idenë e rëndësishme që njerëzit të vaksinohen plotësisht.

Kjo pasi vaksinimi zvogëlon rrezikun e sëmundjeve serioze nga secili variant dhe Delta është kërcënimi aktual. Sidomos kur aktualisht, Delta llogaritet thuajse në të gjitha rastet në Mbretërinë e Bashkuar.

I udhëhequr nga Shëndeti Publik në Angli (PHE) dhe Këshilli i Kërkimeve Mjekësore, studimi mori në shqyrtim 43 mijë e 338 raste të COVID-it që ndodhën midis marsit dhe majit kur në Mbretërinë e Bashkuar qarkullonte edhe Alpha dhe Delta.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e këtyre infeksioneve ishin tek njerëzit që nuk ishin vaksinuar ende.

Shumica nuk kishin nevojë për kujdes spitalor, por një pjesë e vogël prej 2.3 për qind e njerëzve të infektuar me Delta dhe 2.2 për qind e atyre me Alpha e kishin këtë nevojë.

Nga ana tjetër, rreziku i pranimit në spital ishte dy herë më i lartë për individët e diagnostikuar me variantin Delta, në krahasim me ata me Alpha.

Ekspertët janë të mendimit se vaksinimi e ul këtë rrezik. Të dyja dozat janë të nevojshme për mbrojtje maksimale.

Edhe një analizë nga PHE sugjeron se efektiviteti kundër shtrimit në spital pas dy dozave është 96 për qind për vaksinën Pfizer-BioNTech dhe 92 për qind për vaksinën Oxford-AstraZeneca.

“BBC” zbulon se hulumtime të tjera sugjerojnë që teksa mbrojtja kundër infeksioneve simptomatike mund të zbehet disi me kalimin e kohës, të dy vaksinat ende ofrojnë mbrojtje të mirë kundër shtrimeve në spital dhe vdekjeve të shkaktuara nga Delta.

Në Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se 47.9 milionë njerëz, ose rreth 88 për qind e njerëzve të moshës 16 vjeç e lart tanimë e kanë marrë dozën e parë të një vaksine.

Afro 42 milionë njerëz, ose rreth 78 për qind e atyre të moshës 16 vjeç e lart, kanë marrë një dozë të dytë.

Atyre u duhen disa javë nga marrja e dozës së dytë për të marrë mbrojtjen më të plotë.

Doktor Gavin Dabrera, nga PHE, ka thënë se “ne tashmë e dimë se vaksinimi ofron mbrojtje të shkëlqyer kundër Delta-s dhe pasi ky variant përbën mbi 99 për qind të rasteve në Mbretërinë e Bashkuar, është jetike që ata që nuk kanë marrë dy doza vaksine t’i bëjnë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ai ka shtuar se “është ende e rëndësishme që nëse keni simptoma të COVID-it, të qëndroni në shtëpi dhe të bëni një test PCR sa më shpejt të jetë e mundur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore