Lajme

“Pa libra, pa të holla” – rruga e re e Qeverisë për të nisur procesin mësimor


Foto: Albanian Post.

“Është hera e parë që fëmijët e mi 1 shtatori i gjen pa libra”, thotë Merita Fetahu, e shqetësuar duke treguar se ka pasur probleme të mëdha për të aplikuar në e-Kosova, “pasi që ka qenë hera e parë që e kam përdorur një platformë të tillë”.

“Pos kësaj, edhe buxhetin për të cilin na kanë thënë akoma s’është deponuar tek ne”.

“Nga fshati Kushnin, neve na është dashur të shkojmë deri në Prizren për të siguruar librat. Me të vërtetë kjo që ka ndodhur këtë vit s’është aspak në rregull”, potencoi ajo, duke treguar se edhe fëmijët kanë qenë konfuzë me këtë situatë, pasi që, përkundër se filloi mësimi, librat nuk i kishin.

Ngjashëm po thuajse situata është edhe në komunën e Skenderajt ku gjendet vetëm një librari.

“Shumën akoma nuk na kanë deponuar në xhirollogari. Me libra kemi pasur problem pasi ka qenë vetëm një librari dhe është dashur të presim në radhë për t’i marrë ato, ka pasur prindë që nuk kanë mundur t’i marrin librat, kjo pasi që në komunën e Skenderajt e kemi vetëm një librari”, thotë Lira Murtezaj, nënë e dy fëmijëve nga komuna e Skenderajt.

Pothuajse çdo vit i ri shkollor në Kosovë, nis me problematika të ndryshme.

Për dallim nga vitet paraprake kur mësimdhënësit hynin në grevë për të kërkuar rritje të pagave dhe nxënësit humbisnin muajin në pritje të nisjes së orëve mësimore, këtë vit problemi u krijua nga vetë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

E gjithë kjo ndodhi kur përmes një konference për media, më 21 shkurt, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, informoi se kanë dështuar në sigurimin e librave dhe se për këtë arsye prindërit duhet që të blejnë librat vetë e më pas të subvencionohen nga ky dikaster duke aplikuar në platformën e-Kosova.

Por, një kërkesë e tillë për prindërit krijoi një sërë problemesh pasi 1 shtatorin fëmijët e tyre e nisën me mungesë të librave, kjo pasi që në numrin më të madh të librarive të Kosovës, menjëherë u krijuan probleme për sigurimin e mjaftueshëm të librave.

Në disa raste libraritë ndryshuan edhe çmimet për përfitime personale.

Nga ministrja Nagavci, u tha se buxheti financiarë për librat u deponua tek grupi i parë që kishin aplikuar, por që një gjë e tillë u demantua nga prindërit.

Albanian Post ka kontaktuar këshilltaren politike për media në ministrin e Arsimit, Edona Kutleshi, për të marrë sqarim se përse prindërit akoma nuk kanë pranuar të hollat për tekstet shkollore, mirëpo nga ajo përmes një përgjigje në telefon është thënë se “e kemi përcjellur kërkesën në departamentet e ministrisë, posa të pranoj përgjigje do ju informoj”.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Albanian Post akoma s’ka pranuar përgjigje nga MASHT-i.

Ministria e Arsimit.

“Kosovës i është krijuar fenomen që vitin shkollor ta nis me probleme”

Njohësi i fushës së Arsimit, Argjend Osmani, në një bisedë për Albanian Post thotë se tashmë fillimi i vështirë i procesit mësimor në Kosovë është krijuar në “fenomen”.

Sipas tij, vendimi i Ministrisë ka qenë i vonuar, prandaj edhe ka sjellur të gjitha këto vështirësi.

Fillimi me vështirësi i viteve shkollore është një fenomen që e ka përcjellur për disa vite me radhë sistemin arsimor të Kosovës. Fatkeqësisht, as ky vit nuk bëri përjashtim nga ky rregull i dëmshëm”.

“Problemi më i madh që është shfaqur këtë vit, ndërlidhet me furnizimin e nxënësve me tekste mësimore, që MASHT-i ka marrë vendim ta bartë këtë përgjegjësi tek prindërit, por që ka qenë vendim shumë i vonuar e që si pasojë ka sjellur shumë vështirësi”, thotë Osmani për Albanian Post.

Dy kategori, thotë ai janë përballur me vështirësi më të madhe me ndryshimet që janë bërë këtë vit për procesin mësimor.

Viti i ri shkollor 2023/24. Foto: Ministria e Arsimit.

Megjithatë, thekson se problemet të cilat së fundmi janë paraqitur kanë qenë “të natyrave të ndryshme për t’i pasur në dispozicion mjetet e premtuara nga qeveria”.

“Vetë procesi i regjistrimit dhe parakushtet që kërkohen nga e-Kosova nuk janë lehtë të zbatueshme për prindër, posaçërisht për ata që jetojnë në zona rurale, apo që janë të papunë”.

Osmani, thotë se për shkak të krizës ekonomike ka raste kur prindërve ato mjete do të mund t’ju ndalen nga bankat apo përmbaruesit për shkak të obligimeve që kanë.

“Këto e shumë vështirësi tjera, e kanë sjellur një situatë aspak të favorshme në këtë fillim vit shkollor”.

Por, megjithatë pohon se mënyra se si janë shpërndarë librat në të kaluarën duke mos kërkuar kthimin e tyre në objektet shkollore s’ka qenë e logjikshme.

“MASHT-i nuk ka qenë aspak racional në shpërndarjen e librave falas për fëmijë, ku në të shumtën e rasteve ato janë shfrytëzuar vetëm nga një gjeneratë, në vend që ato të shfrytëzohen për shumë gjenerata, siç edhe ndodh në vende të zhvilluara, ku madje janë evidentuar raste kur të njëjtat libra përdoren nga tetë gjenerata me radhë”, deklaron ai.

“Forma që zgjodhi ministria i kushton shtetit tre milionë euro më shumë”

Profesori universitar në fakultetin e Ekonomisë, Nagip Skenderi, e sheh si të gabuar mos subvencionimin në mënyrë direkte nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Përveç kësaj ai thotë se buxhetit të Kosovës, do t’i kushtojë dy tre milionë më shtrenjtë forma të cilën e ka zgjedhur.

“Mos subvencionimi në mënyrë direkte nga ana e Qeverisë duke mos e zbatuar metodën e viteve paraprake kur MASHT-i kujdesej vet për furnizimin me libra të nxënësve do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit më shumë se dy deri tre milionë euro më shtrenjtë, pasi duhet paguar edhe marzhën e shitësve me pakicë të librave”.

“Oferta tenderuese ishte afro katër milion euro të cilën MASHT-i nuk e kontraktoi dhe tani përmes pagesave direkt në llogaritë e prindërve do t’i kushtoj diku shtatë milionë euro, që është një keq menaxhim dhe keqpërdorim i parasë publike nga neglizhenca e Ministrisë apo ndoshta edhe ndonjë interes tjetër vjen ne pyetje”.

Librat e disa niveleve arsimor.

“Thjesht, kjo Qeveri po vazhdon me avazin e aferave”, thotë Skenderi për AP.

Të rrugës të duhur ai i sheh “metodat e së kaluarës”.

“Metodat e viteve paraprake kanë qenë shumë efikase, kur nxënësit në shkolla janë furnizuar me tekste shkollore dhe kjo nuk ishte brengë e familjeve dhe ishte metodë shumë më e përshtatshme, metodë që e aplikojnë të gjitha vendet e tjera dhe ku s’ekziston mundësia e humbjes së asnjë ditë mësimi në shkolla”.

Sipas tij, me metodën e vjetër nuk ka pasur mundësi të ketë keqpërdorim të parasë publike, kurse me këtë të rejën ka.

“Metoda që këtë vit po aplikon MASHT-i për furnizimin ndryshe, nuk garanton mos keqpërdorim të parasë publike, është një interes klientelistë dhe biznesorë dhe një tronditje psiko-sociale për prindërit dhe nxënësit”.

Përse ndodhën të gjitha këto problem për nisjen e vitit shkollor?

Të gjitha këto probleme erdhën pasi ministria e Arsimit këtë vit dështoi në sigurimin e teksteve shkollore për filloristët, Arbërie Nagavci, e cila drejton dikasterin në fjalë ka uruar 1 shtatorin – fillimin e vitit të ri shkollor – për të gjithë nxënësit e vendit, duke thënë se MASHT-i në koordinim me komunat kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e këtij viti shkollor.

Deri në këtë vit shkollor, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Përveç se është komplikuar procesi, meqë tash prindërit angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin.

Për më tepër, i gjithë plani nuk bën as sens ekonomik, nëse qëllimi ka qenë shpenzimi më i vogël.

Tani, në vend që ministria të paguajë direkt shtëpitë botuese duke e paguar librin aq sa e shet shtëpia botuese, librat do të blihen nga dora e dytë në librari, ku futet edhe fitimi i librarit që shet librin të cilin paraprakisht e ka blerë nga shtëpia botuese.

E njëjta Qeveri vitin e kaluar nuk kishte gjetur zgjidhje për fillimin e procesit mësimor, kjo pasi sindikatat kishin hyrë në grevë për të kërkuar rritje të pagave.

Në vitin 2022, greva që nisi rezultoi të jetë greva më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Mbi 4 javë greva, kjo s’ka ndodhur qe 20 vjet në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore