Lajme

OVL-UÇK-ja e “refuzon” Qeverinë


Nga takimi ndërmjet OVL-UÇK dhe Qeveria e Kosovës

Propozimin e Qeverisë së Kosovës që të fillohet ma hartimin e një ligji të ri i cili nis një proces vlerësimi dhe verifikimi për të gjithë pjesëmarrësit e luftës çlirimtare, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka cilësuar si ndërhyrje në procesin gjyqësor.

Përmes një shkrese ushtruesi i detyrës së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, i është përgjigjur letrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili pati propozuar hartimin e një ligji të ri për veteranët.

“Propozimin e juaj e konsiderojmë se është ndërhyrje në procesin gjyqësor”, thuhet në shkresën në fjalë.

E për të trajtuar në mënyrë sa më të dinjitetshme kategoritë e luftës së UÇK-së, Organizata e veteranëve ka propozuar që ligjet aktuale në fuqi të plotësohen me akte nënligjore që nuk janë bërë deri më tani nga Qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse.

Ligji i ri i propozuar nga Qeveria e Kosovës sipas Klinakut mund të bëhet, por duke plotësuar disa nga kushtet.

“Duhet që aplikacionet apo dosjet e kategorive të luftës së UÇK-së të merren nga prokuroria, sepse aty janë të dhënat e plota për secilin, dhe vetëm në bazë të tyre bëhet kjo. Duhet që nga gjykata të shpallet procesi i vlerësimit e verifikimit I pavlefshëm, ose të kthehet në pikën zero. Duhet që të krijohet komisioni I ri qeveritar, i cili me komandantët apo zingjirin komandues të UÇK-së, si dhe përgjegjësit e të gjitha njësive do ta bënte këtë vlerësim dhe verifikim, por pse jo edhe nëse është e nevojshme të bëhet proces i ri aplikimit”, thuhet në shkresën e OVL-UÇK drejtuar Qeverisë së Kosovës.

Sipas Klinakut, ka me mijëra veteranë të luftës që janë të punësuar, dhe për këtë nuk kanë marrë asnjë cent nga beneficioni, sepse me ligj ju ndalohet kjo.

“Ne si OVL-UÇK kemi kërkesa edhe nga ana e tyre që kjo gjë të rregullohet. Në këtë drejtim, neve na intereson më së shumti që veteranët e luftës së UÇK-së të trajtohen dinjitetshëm, dhe do të ishte mire që të hiqet neni që ua ndalon punësimin e atyre. Me këtë ata do të gëzonin beneficionin, por edeh do të paguanin kontributet në shtet”.

Protesta e Veteranëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javë më parë ua kishte nisur një propozim me dy alternativa Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi këta të fundit gjatë muajit qershor protestuan disa herë para objektit të Kuvendit për të shprehur pakënaqësinë e tyre me miratimin në lexim të parë të ligjit që e përjashton kategorinë e tyre nga rritja e pagës minimale.

Sipas këtij propozimi, Kurti ka kërkuar verifikim të listave të veteranëve të UÇK-së në një kohë sa më të shpejtë.

Por, derisa të kryhet verifikimi, sipas propozimit, Qeveria e Kosovës, do t’i ndihmojë veteranëve që të punësohen, duke ua subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore