Lajme

Osmani vizitë zyrtare në Çeki


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën e 30 gushtit ka udhëtuar zyrtarisht për në Çeki.

Këtë e ka bërë të ditur Zyra e Presidencës përmes njoftimit për media ku thuhet se në këtë vizitë Osmani do të zhvillojë një sërë takimesh me zyrtarë të lartë shtetëror të Çekisë si dhe do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të Forumit 2000, së bashku me liderë të tjerë botëror.

“Çekia aktualisht udhëheqë me presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, prandaj në këto takime, Presidentja do ta adresojë në veçanti çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit tonë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Osmani do të takohet edhe me kryeministrin çek Petr Fiala, me presidentin e Senatit Çek, Milos Vystrcil si dhe me zv.kryeministrin, njëherësh ministër për punë të jashtme të Holandës, Wopke Hoekstra.

Gjithashtu, ajo do të marrë pjesë dhe do të flasë në konferencën ndërkombëtare të Forumit 2000 me temë: Rreziku i qartë dhe i tashëm i demokracisë: si të përgjigjemi.

Fondacioni Forum 2000, vazhdon trashëgiminë e ish-presidentit çek, Vaclav Havel në mbështetje të vlerave demokratike, respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe duke ndihmuar në zhvillimin e shoqërisë civile dhe inkurajuar tolerancën kulturore dhe etnike.

Tutje më tej thuhet se presidentja Osmani në këtë Konferencë do të mbajë dy fjalime si dhe do të marrë pjesë edhe në disa aktivitete të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore