Lajme

Osmani thotë se nga Biden ka marrë garanca të fuqishme për mbështetjen amerikane ndaj Kosovës


Joe Biden dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, takoi presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në pritjen zyrtare të organizuar nga ky i fundin në margjinat e sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

Siç thekson Zyra e Presidentes së Kosovës, Osmani gjatë bashkëbisedimit me presidentin Biden ka marrë garanca të fuqishme nga ky i fundit për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës.

“Presidentja Osmani ka falënderuar Presidentin Biden për ndihmën, të cilën në vazhdimësi e japin SHBA-të për Kosovën në rrugën e saj drejt stabilitetit dhe zhvillimit”.

Komunikata për media bënë të ditur se Osmani i ka thënë Biden se themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës është aleanca e përhershme me SHBA-të

“Rrjedhimisht, në këtë kontekst, ka përsëritur qëndrimin se partneriteti me Amerikën është ekzistencial, i pacenueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Presidentja poashtu pati mundësinë ta njoftojë Presidentin Biden për zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova”.

Pas këtij bashkëbisedimi, Presidentja Osmani theksoi se ka marrë garanca të fuqishme nga Presidenti Biden për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore