Lajme

Osmani takon një delegacion të Grupit Punues të BE-së, i kërkon mbështetje për anëtarësim në KiE


Foto: Zyra e Presidecës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të mërkurën një delegacion të Grupit Punues të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, të cilit i ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pas votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të kësaj organizate për pranimin e Prishtinës.

Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Presidencës, të cilët kanë njoftuar se në këtë takim Osmani ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit në këtë organizatë në funksion të rritjes së efektivitetit të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, duke u dhënë atyre qasje në mekanizmat për të drejta të njeriut.

Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetje të mëtejme nga shtetet edhe në fazën e fundit, në votimin që mund të mbahet në muajin maj, në Komitetin e Ministrave.

Pos kësaj, e para e vendit, me këtë delegacion, ka biseduar edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe procesin e dialogut me Serbinë.

“Ndër të tjera, Osmani me diplomatët e Grupit Punues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, theksoi progresin e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transparencës, qeverisjes së mirë dhe në veçanti respektimit të të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftim.

Presidentja ka potencuar se Kosova ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE, në dhjetor të vitit 2022 dhe se është e përkushtuar për t`i përmbushur obligimet dhe kriteret për anëtarësim.

“Kosova është në linjë të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Rrjedhimisht duhet të ecet përpara me statusin e vendit kandidat”, nënvizoi ajo.

Më tej, Osmani tha se Kosova e ka inkorporuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe instrumente të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Kushtetutën e saj, “duke siguruar të drejtat e komuniteteve, sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike, siç dëshmohet nga organizata të besueshme ndërkombëtare”.

Para diplomatëve, Osmani ka folur edhe për angazhimin dhe përkushtimin për avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë, si dhe mbajtjen e edicionit të dytë të Forumit ËPS, i cili e ka shndërruar Kosovën në një lider rajonal në përmbushjen e kësaj agjende.

Në përputhje me aspiratat e Kosovës për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, e para vendit ka folur edhe “për rritjen ekonomike, investimet direkte, si dhe potencialin dhe sukseset e rinisë kosovare në shumë fusha në paraqitjet ndërkombëtare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore