Kosova

Osmani takon kongresistin amerikan: Zbatimi i plotë i marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kongresisti amerikan Mike Turner

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me kongresistin e Mike Turner njëherësh edhe kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për Shërbimet e Inteligjencës ka ripërsëritur se duhet të bëhet zbatim i plotë i të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

Përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidencës është thënë se Osmani në raport me Veriun ka thënë se Kosova ka bërë “hapa përmbajtjesor në shtensionimin e situatës”.

“Ndërkaq në raport me situatën në veri të vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor në shtensionimin e situatës dhe se vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces”.

“Por, ka theksuar obstruksionet e Serbisë, si dhe veprimet destabilizuese në veriun e Kosovës nëpërmjet bandave kriminale të dirigjuara nga Beogradi. Ajo ripotencoi rëndësinë e zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit”, thuhet në komunikatë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kongresisti amerikan Mike Turner

Në takim me kongresistin Tuner, Osmani theksoi se synimi i Kosovës është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si: NATO, BE, Këshilli i Evropës dhe të tjera.

Ajo ka diskutuar edhe për raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke i cilësuar si “strategjike dhe ekzistenciale”.

“Presidentja Osmani ka potencuar se shteti i Kosovës është edhe histori suksesi e SHBA-ve. Përkushtimi i palëkundur i Shteteve të Bashkuara për kauzën e Kosovës ka qenë i domosdoshëm në rrugëtimin tonë drejt pavarësisë dhe shtetësisë”.

Teksa në raport me bashkëpunimin me SHBA-në, e para e shtetit ka potencuar atë në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Kësisoj, Presidentja Osmani përmendi aspiratën e Kosovës për anëtarësim fillimisht në Partneritet për Paqe (PfP), e pastaj në NATO, ku mbështetja e SHBA-ve është esenciale”.

“Mëtej, Presidentja Osmani përmendi faktin se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka bashkëpunim të ngushtë me shërbimet inteligjente të SHBA-ve në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë që mund ta cenojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon”.

Turner, ka ardhur në Kosovë një ditë pas vizitës që pati në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore