Lajme

Osmani: Shqetësuese trendi i rritjes së rasteve të dhunës seksuale në Kosovë


Raporti monitorues i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në prezantimin e raportit monitorues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë”, është shprehur e shqetësuar me trendin e rritjes së vazhdueshme të rasteve të dhunës seksuale në Kosovë.

Duke shpresuar që njëra nga arsyet e rritjes së këtyre rasteve është vetëdijesimi i grave dhe besimi i tyre në institucione për t’i raportuar rastet e tilla.

“Vendi ynë tashmë ka marrë përsipër një sërë obligimesh për të trajtuar dhunën ndaj grave, që dalin jo vetëm nga legjislacioni i brendshëm por veçanërisht nga Konventa e Stambollit, të cilën unanimisht e kemi bërë pjesë të Kushtetutës sonë”.

“Zotimet e tilla ndërkombëtare nuk janë thjesht deklarative, në fakt na detyrojnë neve si shtet që të luajmë rol më proaktiv në parandalim si dhe në hetim dhe dënim mbi bazën e dhunës mbi baza gjinore”, është shprehur presidentja Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndërkaq, sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, raste të tilla mbesin shqetësuese pasi 85 për qind të rasteve të dhunës seksuale në tri vitet e fundit janë të mitur.

“Ministria e Drejtësisë konsideroi se si asnjëherë më parë e ka bërë prioritet adresimin e dhunës në familje, dhunës seksuale, psikike, materiale. Në këtë drejtim jemi duke punuar shumë që secilën prej përgjegjësive që kanë institucionet të adresohet siç duhet”, tha Haxhiu.

Gjithashtu, shefi i misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemar, sqaroi se raporti mbështet institucionet e Kosovës në adresimin e dhunës seksuale.

“Ky raport është pjesë e një përpjekje të përgjithshme të EULEX për t’i mbështetur institucionet e Kosovës në adresimin e dhunës kundër grave në përgjithësi dhe dhunimit në veçanti. Kjo është në përputhje me kriteret e konventës së Stambollit”.

Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka kërkuar angazhim ndërinstitucional për luftimin e kësaj dukurie.

Mehmeti, tha se Policia e Kosovës ka disa prioritete gjatë trajtimit të këtyre veprave penale.

“Për të luftuar dhunën seksuale është e nevojshme marrja e një sërë veprimesh dhe masave esenciale dhe parandaluese nga institucionet për të përmirësuar perceptimin e shoqërisë ndaj kësaj kategorie si dhe duke mbështetur viktimat me vënien e kryerësve para përgjegjësitë”.

Ndryshe, në këtë raport jepet një vlerësim preliminar për mënyrën se si i trajton sistemi i drejtësisë në Kosovë rastet e dhunimit.

Ky raport përfshinë gjetje dhe rekomandime konkrete për autoritetet e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore