Lajme

Osmani, Sarrazin-it: Veprimet e Policisë në Veri janë legjitime


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe i dërguarin i posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës në Veri janë legjitime ndaj strukturave e grupeve kriminale.

Përmes një komunikate për media, Osmani ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane të funksionimit si shtet.

“Presidentja Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiçit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”.

Por po ashtu thuhet se, “ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtar dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm”.

“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane të funksionimit si shtet qytetar duke ruajtur karakterin multietnik të saj dhe institucioneve të saj”, thuhet në komunikatën.

Teksa për veprimet kriminale të orekestruar nga strukturat ilegale të mbështetura nga Beogradi, ajo ka potencuar se kanë për synim që të mos lejojnë kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës të ushtrojnë detyrën e tyre.

“Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës. Presidentja ka theksuar se veprimet kriminale në veri të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, kanë për qëllim moslejimin e kryetarëve të ri të komunave në veri të vendit të ushtrojnë detyrat sipas ligjit dhe kushtetutës dhe instrumentalizimin e popullatës lokale serbe për të krijuar vakuum institucional, klimë të përgjithshme frike dhe pasigurie”.

Duke theksuar se Kosova ka ndërrmarrë veprime pavarësisht përpjekjeve të këtyre strukturave ilegale.

“Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për të shtensionuar situatën pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në veri të vendit në nëntor te vitit te kaluar dhe proceset demokratike e ligjore kanë vazhduar në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën”.

Ndërsa presidentja ka shtuar, “Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane të funksionimit si shtet qytetar duke ruajtur karakterin multietnik të saj dhe institucioneve të saj”.

Çka ndodhi?

Në mesditën e së premtes të 27 majit në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës, u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokalë të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post raportoi mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kishin arritur të futen në ndërtesat komunale.

Në të tri komunat Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e këtyre Komunave.

Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.

Teksa pesë policë kishin mbetur të lënduar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore