Lajme

Osmani pranon letrat kredencialet të ambasadorit të ri austriak


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Austrisë, George Schnetzer, të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve do të intensifikohen edhe më tej.

Sipas Osmanit, Austria mbetet aleate e rëndësishme, e cila e ka mbështetur Kosovën në faza të ndryshme të shtetndërtimit.

“Osmani ka falënderuar Austrinë për mbështetjen e palëkundur, duke potencuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së mëtejme për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet nw njoftim për media nga zyra e presidentes.

Në takim me ambasadorin Schnetzer, ajo ka shtruar nevojën e forcimit të partneritetit në mes të Kosovës dhe Austrisë, si dhe bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës, tregtisë, si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Në muajin maj të këtij viti, Osmani teksa kishte mbajtur fjalim në ceremoninë e themelimit të Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Austri, kishte theksuar se shteti i Kosovës është bërë nga përkrahja e miqve të saj, sikurse Austria.

“Në ditët e errëta të historisë sonë kur regjimi gjenocidal i Serbisë mbylli shkollat dhe universitetin, ishte shteti i Austrisë dhe miku i Kosovës Erhard Busek që ia mundësoj të rinjve tanë që të vazhdojnë studimet atje, duke qenë shteti i parë evropian që njohu diplomat tona”, theksoi Osmani.

Osmani ka theksuar se diplomati austriak Albert Rohan ishte ndër mbështetësit më të mëdhenj “në rrugën tonë drejt pavarësisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore